Trupa e re gjyqësore cakton datën, ja kur do të mbahet seanca e parë për Veliajn

Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 26 maj, ora 10:00 për të zhvilluar seancën e parë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë.

Trupa e re ndaj Veliajt e të tjerëve, që do të gjykohen në një proces të zakonshëm, kryesohet nga Elsa Ulliri dhe anëtare Flora Hajredini e Besmir Stroka.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.