Sesioni i hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, Cremades: Tirana do të jetë kryeqyteti i sundimit të ligjit

Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve dhe i Fondacioni Botëror i Ligjit, Javier Cremades, në sesionin e hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, tha sot se Tirana është zgjedhur për të qenë në qendër të aktiviteteve ndërkombëtare për sundimin e ligjit, për shkak të reformës në drejtësi dhe aspiratës për integrimin evropian.

Gjatë fjalës së tij, Cremades theksoi se bota po përballet me sfida të reja, ku autokracitë po depërtojnë në demokraci dhe po krijojnë destabilizim e konfuzion, ndërsa demokracitë tradicionale po shfaqin shenja mosfunksionimi.

Ai nënvizoi se një nga sfidat më të mëdha të kohës është aksesi tek e vërteta në epokën digjitale, duke shtuar se pa të vërtetën nuk mund të ekzistojë liria reale dhe as sundimi i ligjit. Sipas tij, edhe sistemi i drejtësisë po përballet me sulme të vazhdueshme, ndërsa gjyqtarët po perceptohen gjithnjë e më shumë si aktorë politikë.

“Në fakt ka tre sfida kryesore, njëra është aksesi tek e vërteta. Është shumë e vështirë që sot në botën digjitale t’i detyrojmë qytetarët që të jenë të mirinformuar për realitetin, dhe pa të vërtetën nuk mund të krijohet liria e vërteta dhe sundimi i ligjit. Gjyqtarët janë sulmuar dhe po sulmohen kudo dhe në vendet demokratike. Shtetet po i shohin gjyqtarët sikur janë politikanë të veshur me mantelin e drejtësisë. Mund të themi se drejtësia është në një rrethim”, tha ai duke shtuar se tjetra është polarizimi.

“Pse u zgjodh Tirana? Pse Shqipëria? Se mendojmë se mund të mësojmë diçka prej jush. Këtu në këtë vend të vogël keni disa gjëra që janë interesante, këtu jetojnë besime të ndryshme fetare në harmoni. Për shembull udhëheqësi juaj është një nga miqtë më të mirë të presidentit të vendit tim madje dhe një nga miqtë e ngushtë të Trumpit. A mund ta mendojmë një vend tjetër që të ketë një pozicion kaq të favorshëm aktualisht, por madje diçka u theksua dhe në fjalimin e ministrit të Drejtësisë, pra nëpërmjet pasionit dhe aspiratave për t’u bërë pjesë e BE-së, që nuk është thjesht një objektiv e udhëheqësve të vendit, por është një ëndërr që e ndajnë të gjithë. Kjo ju bën ju kandidatin perfekt”, tha ai.

Cremades tha se reforma në drejtësi në Shqipëri “na bën të vijmë këtu dhe të shohim këtë marrëdhënie kaq të mirë që ka Shqipëria me sundimin e ligjit”.

“Dje e kemi thënë që Komisioni Evropian nuk është thjesht një klub i vendeve më të pasura, apo një hapësirë për një qytetari të ndarë, por është thjesht një hapësirë për sundimin e ligjit dhe për këtë arsye, transformimi i vendit tuaj dhe i reformës suaj në drejtësi, na bën që ne të vijmë në Shqipëri. Cila është lidhja mes komunitetit dhe sundimit të ligjit? Ju do t’u duhet të transformoni shoqërinë dhe sistemin tuaj për t’u futur në BE dhe këtë e keni bërë edhe nëpërmjet përgatitjeve të vogla përmes reformës në drejtësi, kjo është dhe arsyeja që ne dëshirojmë që e gjithë kjo lodhje, nga këto popullata, nga demokracitë e vjetra, që e kanë konsideruar demokracinë si diçka të përjetshme, na bëjnë të vijmë këtu dhe të shohim këtë marrëdhënie kaq të mirë që ka Shqipëria me sundimin e ligjit”, tha ai.

Ai paralajmëroi se Tirana do të presë një numër të madh personalitetesh ndërkombëtare të drejtësisë, duke e krahasuar ngjarjen me “Lojërat Olimpike”.

Sipas Cremades, Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në “kryeqytetin e sundimit të ligjit”. Ai zbuloi gjithashtu idenë për ndërtimin në Shqipëri të një statuje simbolike kushtuar sundimit të ligjit, e ngjashme me atë të ngritur në Republikën Dominikane.

“Besoj se Shqipëria dhe Tirana do të jetë kryeqyteti i sundimit të ligjit. Në Republikën Dominikane kemi krijuar dhe kemi ndërtuar një statujë të tillë për sundimin e ligjit që është mjaft e madhe dhe besoj një statujë të tillë të bëhet edhe këtu tek ju. Besojmë se sundimi i ligjit të jetë i saktë dhe Kushtetuta duhet të vlerësojë dinjitetin njerëzor”, u shpreh ai.

Në përfundim, presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve theksoi se këto kongrese nuk mbështesin qeveri të caktuara, por “mbështesim vendet, parlamentin, universitet, gjyqtarët, institucionet, por duam të vëmë theksin mes popullatës dhe sistemit, sepse pa këtë lidhje sistemi nuk do të mund të funksionojë dhe sikur të ketë sistemet më të mira”.

Ai bëri të ditur se në vitin 2029 do të jenë në Berlin për përvjetorin e 40-të.