41 mijë euro për një 'Volkswagen' me kamera false: si të mashtron 'Auto Europa' e Indrit Bardhos në Durrës

Ata që vendosin të blejnë makina te firma "Auto Europa" me qendër në Xhafzotaj të Durrësit, mund të bien "viktima" të mashtrimit me aksesorë dhe pajisje false të makinave, sepse pronari i saj Indrit Bardho ua modifikon sikur janë pjesë e katalogut të markës dhe fabrikave.

Këtë e vërteton një rast konkret, i denoncuar në "Pamfleti", sipas të cilit, një qytetar ka konstatuar pajisje jo origjinale dhe pa siguri e pa garanci, në makinën që ka blerë tek firma "Auto Europa", e cila shet makina të tilla në të gjithë vendin.

Ja skema mashtruese, e përdorur në rastin e denoncuar:

Në muajin qershor 2023, sipas pretendimeve të një subjekti privat, kompania "Auto Europa" shiti një automjet "Volkswagen ID.6" me vlerë 41 mijë euro, të prezantuar si të pajisur me "Kamera 360 gradë origjinale të markës dhe fabrikës së prodhimit".

Por ajo çfarë blerësi konstatoi pas përdorimit të makinës ishte shumë alarmante, ose më qartë, ishte mashtrim, sepse makina, ende brenda afatit të garancisë dhe vetëm me 30 mijë kilometra, shfaqi defekte të rënda në sistemin elektrik dhe pajisjen multimediale.

Verifikimet paraprake nga ekspertët krijuan këto dyshime të forta dhe të arsyeshme:

Sistemi i kamerave të makinës ka shenja se nuk është prodhim dhe montim fabrike;

Dyshohet se sistemi i kamerave është montuar në servis brenda mjediseve të kompanisë "Auto Europa";

Kjo ndërhyrje modifikuese mund të jetë shkaku i dëmtimit të sistemit elektrik të makinës. Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrje të tilla në sistemet e makinave cenojnë seriozisht funksionimin dhe sigurinë e automjetit, siç ka vepruar "Auto Europa" e Indrit Bardhos.

Por skandali nuk përfundon me kaq:

Sipas denoncimit, kompania refuzon çdo përgjegjësi, duke u fshehur pas një klauzole kontraktuale: "Nëse nuk bën servis tek ne, humbet garancinë"; që do të thotë se, përveçse Indrit Bardho të mashtron duke të shitur makina me sisteme jo origjinale e të modifikuara, të detyron që servisi të bëhet te kompania e tij, që të mos t'i zbulohet mashtrimi nga serviset e tjera.

Ndërkohë, makina e blerë "Volkswagen ID.6" me vlerë 41 mijë euro është ende brenda garancisë kohore 5-vjeçare dhe limitit 100 mijë kilometra, mbasi ka bërë vetëm 30 mijë kilometra dhe iu shfaq defekti për shkak të modifikimit.

Megjithëse shkaku është i qartë dhe i dukshëm dhe përgjegjësia është e pronarit të kompanisë "Auto Europa", Indrit Bardho, ai nuk i dorëzon blerësit dokumentat që të provojnë nëse kamerat e makinës janë apo jo origjinale të fabrikës.

Prej tij përdoret justifikimi se kompania operon me praktikë ekskluziviteti për këto modele nga tregu kinez, dhe në emër të tyre bën reklamë, por pyetjet që bëhen janë të qarta:

A po shiten makina me pajisje të modifikuara si gjoja "origjinale"?

A po shmanget përgjegjësia kontraktuale ndaj klientëve që kanë blerë dhe do të mendojnë të blejnë makina te kompania e tij "Auto Europa" me qendër në Xhafzotaj dhe qytete të tjera?

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga kompania, sepse është konstatuar se ai ka zyra fiktive të financës, teknike dhe të shitjes; prandaj nuk pranon të japë asnjë dokumentacion për të vërtetuar origjinalitetin e kamerave të makinës.

Pra, një koncesionar fantazmë me qendër në Xhafzotaj, i cili operon pa asnjë kusht garancie për blerësit e makinave, por i mashtron me reklamimin e makinave kineze, pjesët e të cilave montohen në Shqipëri dhe shkaktojnë dëmtime kolosale në sistemin elektrik.

Kësaj akrobacie i thonë: të blesh me 41 mijë euro mashtrimin që bën kompania shitëse "Auto Europa", të shpërfillesh nga shitësi dhe të jetosh me ankthin e pasigurisë së makinës.

Rasti është hapur dhe kemi informacione se e njëjta gjë ka ndodhur me blerës të tjerë makinash; histori denoncimesh që sapo ka filluar dhe do të vazhdojnë të publikohen nga ne, madje dhe abuzime në dogana e tatime që bën kompania "Auto Europa" me qendër në Xhafzotaj./ Marrë nga "Pamfleti"