Rama me drejtuesit e qarqeve/ PS drejt 35-vjetorit, diskutime për anëtarësimet e reja dhe hapjen e sezonit turistik

Për rreth 40 minuta, kryesocialisti Edi Rama mblodhi në selinë rozë drejtuesit politik të qarqeve të Partisë Socialiste.

Në qendër të diskutimeve ishin rifomatimi, rienergjizimi dhe përgatitjet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

Më 12 qershor, PS do të kremtojë 35-vjetorin e saj, një përvjetor që pritet të shoqërohet me shtim të anëtarësimeve dhe disa ndryshime në strukturat drejtuese, me qëllim dhënien e më shumë freskie dhe energjie të reja partisë në qeveri prej katër mandatesh.

Gjatë takimit u diskutua edhe për hapjen e sezonit turistik veror dhe masat që duhen marrë për mbarëvajtjen e tij.

Socialistët e konsiderojnë turizmin një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, ndërsa investimet në këtë fushë janë në rritje.

U theksua gjithashtu nevoja që problematikat e konstatuara vitin e kaluar të mos përsëriten.

Në takim u trajtua edhe ecuria e punëve në vend, një temë që sipas burimeve mbetet pjesë e rregullt e diskutimeve në mbledhjet e kryesocialistit me drejtuesit politik të qarqeve.