“Jet Bank” dhe Oliver Hemer - Banka digjitale në Shqipëri, Këlliçi akuza për lidhje me rrjete mashtrimi dhe pastrim parash

Në seancën parlamentare deputeti demokrat Belind Këlliçi  ngriti akuza të rënda dhe pyetje direkte për kryeministrin Edi Rama në lidhje me licencimin e bankës më të re tregtare në vend, “Jet Bank”.

Këlliçi shprehu shqetësime serioze për lidhjet e dyshimta të aksionerëve kryesorë të bankës me skema mashtrimi ndërkombëtare dhe rrjete të pastrimit të parave, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e sistemit financiar dhe depozitave të qytetarëve shqiptarë.

Në qendër të akuzave të ligjvënësit demokrat është aksioneri mаzhoritar i “Jet Bank” me 71.52% të aksioneve, shtetasi Oliver Hemer. Gjatë interpelancës u theksua se autoritetet rregullatore në Gjermani, Britani, Spanjë dhe Estoni kanë dokumentuar lidhjet e Hemer me skemën mashtruese “4XFX” dhe me rrjetin e Gal Barak, i cili është dënuar në Austri për mashtrim me një dëm financiar që i kalon 200 milionë eurot.

Përveç kësaj, u vu në dukje mungesa totale e eksperiencës në fushën bankare për të gjithë aksionerët dhe anëtarët e bordit drejtues të bankës së re. Kjo, sipas Këlliçit, përbën një rrezik të shtuar për stabilitetin financiar, pasi një dështim i mundshëm i kësaj banke do të mbulonte vetëm një pjesë të kufizuar të depozitave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ndërsa pjesa tjetër e barrës do të binte mbi bankat e tjera të sistemit, duke tronditur besimin e publikut.

PJESË NGA FJALA E BELIND KËLLIÇIT

Për këtë interpelancë duke i drejtuar pyetjet e mëposhtme kryeministrit. Një, a ka dijeni kryeministri Edi Rama për lidhjet e dokumentuara nga autoritetet rregullatore gjermane, britanike, spanjolle dhe estoneze të shtetasit Oliver Hemer, drejtor i shoqërisë Konsador LTD, aksioner me 71.52% i Jet Bank, me skemën mashtruese 4XFX dhe rrjetin e Gal Barakut, të dënuar në Austri për mashtrim me dëm financiar në vlerën mbi 200 milionë euro?

Dy, a mundet të garantojë kryeministri Edi Rama për qytetarët shqiptarë se depozitat e tyre në Jet Bank do të jenë të sigurta duke patur parasysh se, Agjencia e sigurimit të depozitave mbulon vetëm shumat të kufizuara për depozituesit.

Fondi i ASD-së financohet nga kontributet e të gjitha bankave të tjera në treg, duke e kthyer riskun e një banke të re në një risk që në rast dështimi do të përballohej nga fondi i krijuar prej kontributeve të sistemit bankar e do të kishte pasoja mbi besimin e qytetarëve në të gjithë sistemin financiar.

Dhe asnjë prej aksionarëve dhe anëtarëve të bordit të Jet Bank nuk ka eksperiencën e mëparshme në drejtim bankar, as nuk ka operuar kurrë në një bankë tregtare në ndonjë vend tjetër të botës apo dhe në Shqipëri.

Tre, a ka kërkuar kryeministri, pa cenuar pavarësinë ligjore të Bankës së Shqipërisë, që Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, shërbimet përgjegjëse të sigurisë kombëtare dhe institucionet ligjzbatuese të verifikojnë burimin e kapitalit, pronësinë përfituese, lidhjet e raportuara me platforma të palicencuara financiare dhe çdo risk të mundshëm për pastrim parash që lidhet drejtpërdrejtë me licencimin dhe nisjen e aktivitetit të Jet Bank.

Katër, a ka kërkuar kryeministri Edi Rama verifikime të hollësishme nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare mbi aksionarët, pronarët përfitues dhe anëtarët e organeve drejtuese të Jet Bank, veçanërisht mbi shtetasit Oliver Hemer, Idan Avishai, Rami Solomon dhe Saniel Sanileviç, duke patur parasysh se lidhjet e disa prej tyre sipas burimeve të hapura, i lidhin me struktura të dokumentuara nga autoritetet policore europiane si rrjete pastrimi parash. Përbëjnë çështje me implikime të drejtpërdrejta këto në sigurinë kombëtare dhe stabilitetin financiar të vendit.

Pesë, a mundet të konfirmojë apo mohojë kryeministri Edi Rama pretendimet publike se licencimi i Jet Bank është mbështetur nga persona me ndikim pranë qeverisë, sipas informacioneve të raportuara në media serioze në vend, dhe a është hetuar kjo çështje nga organet përkatëse të qeverisë?

Gjashtë, a është kërkuar informacion nga autoritetet homologe britanike, gjermane, estoneze, qipriote, holandeze, izraelite dhe kroate për aksionarët, administratorët, (bell rings) sa ta përfundoj, të lutem. Përfundoni. Administratorët, pronarët përfitues dhe shoqëritë e përfshira në strukturën e Jet Bank, përpara dhe pas dhënies së licencës përfundimtare. Nëse po, cilat institucione janë pyetur dhe cilat janë përgjigjet që janë marrë?

Edhe dy pyetje të lutem kam. Shtatë, a janë vënë në dijeni partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane, autoriteti i Bashkimit Europian kundër pastrimit të parave, si dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë për licencimin e kësaj banke dhe strukturën e saj të pronësisë?