Balliu në Kuvend: Nga tritoli te mediat e deri te lidhjet me krimin, ja lidhjet e AKSHI-t me botën e krimit
Seanca parlamentare është përfshirë nga tensione të larta, teksa nga foltorja u lëshuan një sërë akuzash të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i cili u akuzua për lidhje me krimin e organizuar dhe fshehje nga përgjegjësia duke munguar në interpelancën e kërkuar për çështjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë fjalës së tij në seancën plenare u ndal tek roli i AKSHI-t, institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrisë. Sipas deputetit të opozitës, njeriu i lidhur me AKSHI-n, Ergys Agasi, rezulton të jetë i përfshirë në afera kriminale, duke u përmendur si bashkëndërtues me Vis Martinajn.
Balliu pretendoi se Agasi e ka informuar këtë të fundit për një fletë-arrest, duke i mundësuar arratisjen. Mungesa e kryeministrit në seancë u cilësua si një provë e përfshirjes dhe pamundësisë për t'u përballur me këto fakte.
Një tjetër pikë e fortë e fjalimit ishte kërcënimi ndaj medias. U përmend rasti i pronarit të televizionit MCN, i cili, sipas Balliut, i ka shpëtuar dy atentateve dhe së fundmi i është vendosur tritol në ambientet e biznesit dhe studios.
Këto akte u lidhën drejtpërdrejt me denoncimet që ky televizion ka bërë për aferën e AKSHI-t, duke ngritur alarmin për një klimë frikësimi ndaj zërave kritikë.
Deputeti e krahasoi mungesën e kryeministrit me fshehjen e kriminelëve në kërkim.
“Pikërisht se është i kapur, ai fshihet dhe nuk vjen këtu. Njësoj si çdo kriminel tjetër që fshihet, siç fshihet Suel Çela nëpër bodrume, fshihet edhe ky nga ky parlament,” deklaroi ai, duke shtuar se kryeministri i kërcënon edhe deputetët e tij me shprehjen “kush më del kundra, të mbylli gojën se do ju sakatoj”.
Akuzat u shtrinë edhe në fushën e korrupsionit të gjerë, duke pretenduar se qeveria nuk ka ekspertë për fushat jetike si arsimi apo policia, por vetëm “ekspertë për të krijuar skema korrupsioni dhe skema vjedhjesh”.
Në këtë kontekst, u përmendën emra si Mirlinda Karçanaj, Beqiri dhe Ergys Agasi si përfitues të këtij sistemi. Në fund, u bë thirrje për një protestë masive të qytetarëve ditën e nesërme, në orën 19:00, kundër, siç u tha, “kriminelëve dhe hajdutëve” në pushtet.
FJALA E BALLIUT
Sepse AKSHI është në varësi të kryeministrisë dhe prandaj duhet të ishte këtu për interpelancë. A nuk është e vërtetë që në këto kohë janë kërcënuar njerëz edhe të mediave?
A nuk është e vërtetë që është bërë dy herë atentat, ka denoncuar pronari i një televizioni që është kundërshtar me këtë, me këtë, me këtë opozitë, që e sulmon këtë opozitë nga mëngjesi deri në darkë?
Po a nuk është e vërtetë që e kanë kërcënuar dy herë, i kanë bërë atentat dhe herën e tretë i vunë tritol MCN-së brenda bizneseve të tyre, brenda studiove të tyre dhe nuk ka asnjë reagim.
Ata denoncojnë, unë nuk e di është a s'është e vërtetë, ata denoncojnë që kjo vjen si rrjedhojë e denoncimeve për çështjen e AKSHI-t. A nuk është e vërtetë që ky Ergys Agasi, që del edhe te AKSHI, që ju iku pikërisht se u informua nga policët që i kishte vendosur Ergys Agasi, që shpejt largohu se ka dalë fletë-arresti.
Si mos vijë kryeministri pasi dalin të gjitha këto, pasi del gjithë ky llum, gjithë ky turp që na bën me turp të gjithëve si shtet, të gjithë ne që jemi këtu, që lejojmë një institucion të ndyrë siç është siç e ka kthyer Edi Rama sot AKSHI-n dhe ky thotë, unë nuk vij në interpelancë sepse nuk është çështja ime.
Dhe ju doni ta kaloni me gjithë këtë lehtësi. A thua se kërcënimi i jetës së një qytetari apo të një biznesmeni është një gjë që mund të kalojë me dy fjalë goje dhe thjesht me një mohim, thjesht nuk pranojmë interpelancën.
Duke shkelur ligjin, duke shkelur kushtetutën. Këto janë çështjet që jua ka ngritur dhe Parlamenti Europian në raport. Po ju nuk doni ta dini as për Parlamentin Europian, ju nuk doni ta dini as për integrim, as për Shqipërinë, ju keni vetëm hallin e mbajtjes së këtij pushteti, se ky pushtet ju shton ju llogaritë bankare, siç ja shtoi asaj Mirlinda Karçanajt, atij Beqirit, Ergys Agasit, e lubisë, e lubive çfarë keni ju këtu, që nuk e di ku i keni gjetur, nuk keni asnjë ekspert për arsimin, ju nuk keni asnjë ekspert për policinë, s'keni asnjë ekspert për kulturën, ju gjeni vetëm ekspertë për të krijuar skema korrupsioni, për të krijuar skema vjedhjesh.
Dhe vijmë pastaj të diskutojmë sikur të jemi në një parlament normal. Unë i bëj thirrje këtij kuvendi, i bëj thirrje edhe kolegëve të mazhorancës. Në qoftë se, në qoftë se ne do të ishim duke gënjyer për çështjen e AKSHI-t, ju garantoj që Edi Rama do vinte këtu dhe do mbante nga ato fjalimet që ju zë gjumi ju nëpër mbledhje, nga dy orë do vinte të fliste këtu. Por pikërisht se është i kapur, qoftë te lubia, pikërisht se është i kapur qoftë tek AKSHI, ai fshihet dhe nuk vjen këtu.
Njësoj si çdo kriminel tjetër që fshihet, siç fshihet Suel Çela nëpër bodrume, fshihet edhe ky nga ky parlament. Sepse këtu i duhet të përballet me të vërtetën. Edhe kur çohet ndonjëri nga ju për t'i thënë që kjo shkon e kjo nuk shkon, ju kthehet në mes të mbledhjes dhe ju thotë kush më del kundra, të mbylli gojën se do ju sakatoj.
Ju mund të zgjidhni të sakatoheni, ju mund të zgjidhni të ulni kokën, ju mund të zgjidhni të largoheni nga personaliteti që duhet të përfaqësojë gjithsecili, po qytetarët shqiptarë nuk mund ta bëjnë atë kurrë.
Dhe prandaj, ditën e nesërme, në orën 19:00, çdo qytetar shqiptar, pikërisht prej atij që ngre duart atje, ushtari i Suel Çelës, që ka kapur dhe dhunonte biznesmenin Geron Meçe që të tërhiqej nga ankimimet e baxhanakut të Edi Ramës, pikërisht kundër këtyre kriminelëve, kundër hajdutëve, kundër këtyre që blejnë jahte, helikopterë...

