Shqipëria, “duar bosh”! Bozdo: Vendi pa rezerva sigurie në mes të krizës energjetike. Kush do i paguajë 300 mln euro?

Shqipëria e gjen veten të papërgatitur përballë krizës energjetike globale, duke mos pasur rezervat e sigurisë së karburanteve, një detyrim ky i përcaktuar me ligj.

Gjatë interpelancës së thirrur me ministrit Karakacci, deputeti demokrat Eno Bozdo ngritin alarmin se vendi është "me duar lart" përballë partnerëve ndërkombëtarë dhe i paaftë për të reaguar ndaj krizës, ndryshe nga vendet e tjera evropiane si Gjermania, Franca apo Italia.

Sipas legjislacionit në fuqi dhe angazhimeve ndërkombëtare, përfshirë direktivat e Bashkimit Evropian, Shqipëria është e detyruar të mbajë një rezervë sigurie të barabartë me 61 ditë konsum ose 90 ditë import. Ky detyrim, tha Bozdo, është shkelur, duke e bërë Shqipërinë "shteti i vetëm në rajon që nuk ka çfarë të japë, sepse nuk ka asgjë për të ruajtur". Kjo situatë konsiderohet nga ligjvënësi demokrat një "konstatim i dhimbshëm i fakteve" dhe jo thjesht retorikë politike.

Për të adresuar këtë mungesë, qeveria ka sjellë në vëmendje një projektligj për krijimin e Autoritetit të Rezervës së Sigurisë. Megjithatë, ky projektligj nuk është i ri. Drafti është hedhur për konsultim publik që në vitin 2019 dhe për gjashtë vite ka qëndruar "në sirtaret e qeverisë".

Bozdo tha se nxjerrja e tij pikërisht tani, kur kriza ka kulmuar dhe çmimet e karburantit kanë arritur nivele stratosferike, është një veprim i vonuar që nuk ofron zgjidhje për situatën aktuale. Miratimi i ligjit tani nuk do të zgjidhte "absolutisht asgjë" nga problematika imediate e çmimeve të larta.

Një tjetër shqetësim madhor i ngritur është ai i financimit. Mbushja e rezervave të sigurisë vlerësohet të kushtojë minimalisht rreth 300 milionë euro, pa llogaritur kostot shtesë për infrastrukturën. Pyetja që shtrohet është se kush do ta paguajë këtë faturë. Dyshimet janë se barra do të bjerë sërish mbi taksapaguesit, në një kohë kur Shqipëria renditet ndër vendet me naftën më të shtrenjtë në botë, kryesisht për shkak të ngarkesës së lartë fiskale, ku 60-65% e çmimit final shkon për taksa.