PROTESTA E 8 MAJIT/ Policia njofton planin e masave dhe rrugët që do bllokohen gjatë tubimit të nesërm

Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi që do të mbahet më 8 maj 2026, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se, në bazë të ligjit për tubimet, ka marrë masa për të garantuar zhvillimin normal të aktivitetit dhe sigurinë në zonë.

Për shkak të tubimit, do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Nga mbrëmja e 7 majit deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Ndërsa më 8 maj, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të qarkullimit në pjesën tjetër të bulevardit, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia u bën thirrje organizatorëve të respektojnë oraret dhe vendin e përcaktuar për tubimin, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për kufizimet në trafik. Gjithashtu, apelohet që të shmangen veprimet që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.