Diskutimet për Integrimin në BE në Kuvend/ Muzhaqi: 23 projektligje të miratuara pa asnjë votë nga opozita
Në Kuvend është diskutuar procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku është vënë në dukje se gjatë muajve të fundit janë miratuar 23 projektligje që lidhen me këtë proces.
Në një lidhje direkte nga Kuvendi, deputetja e Partisë Socialiste Bora Muzhaqi foli për punën në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ecurinë e ligjeve të përafrimit me BE-në.
“Puna që përpiqemi të bëjmë në komision është të lehtësojmë diskutimin konstruktiv për ligjet e BE-së. Jemi përpjekur të dalim nga qasja partiake dhe të fokusohemi te aspekti teknik dhe politik i integrimit. Këshilli Kombëtar i Integrimit tani bashkëdrejtohet nga mazhoranca dhe opozita, dhe kjo është një zhvillim pozitiv. Shpresoj që opozita të marrë pjesë në takime, sepse çdo palë duhet të jetë e përfshirë.”-tha deputetja socialiste.
Muzhaqi shtoi se nga tetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti janë miratuar 23 projektligje që lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit.
“Në këto 23 projektligje, opozita nuk ka votuar në asnjë rast. Ndërkohë që në deklarata shprehet pro integrimit në BE, në votime nuk është parë mbështetje për këto akte ligjore.”-shtoi Muzhaqi.
Sipas saj, kjo krijon një diferencë mes qëndrimeve politike të shprehura dhe votës në Kuvend për procesin e integrimit.
Mazhoranca vijon punën për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa pritet që debatet për rolin e opozitës në këtë proces të vijojnë edhe në seancat e ardhshme.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

