“Zgjedhorja”, Shehi: Votimi e numërimi elektronik i jep fund “ushtrisë së komisionarëve”, pragu 4% po mbyt demokracinë

Reforma zgjedhore mbetet një temë e nxehtë në debatin publik, ku dy çështje kryesore spikasin: nevoja për votim dhe numërim elektronik si dhe diskutimi për pragun zgjedhor.

Sipas kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi sistemi aktual jo vetëm që lejon manipulimin e votës, por ka krijuar një mekanizëm shantazhi ndaj shtetit.

Një propozim radikal për të pastruar procesin zgjedhor vjen nga Shehi, i cili në një intervistë për “Ora News”, theksoi duhet të kalohet në votim dhe numërim plotësisht elektronik.

Kjo, tha ai, do të eliminonte atë që e cilësoi si “ushtria e komisionerëve”, një grup njerëzish që shpesh akuzohen si abuzues me detyrën.

Shehi pretendon se këta individë, përveçse vjedhin dhe falsifikojnë vota, e përdorin pozicionin e tyre për të “rikatuar” shtetin shqiptar.

Pavarësisht se cila forcë politike vjen në qeveri, ky grup kërkon favore dhe poste kyçe në administratë, si në dogana e tatime, duke ngritur pretendimin se “kanë ruajtur votat” për partinë.

Kalimi në teknologji, sipas Shehit, do t'i jepte fund këtij fenomeni negativ që ka pllakosur realitetin shqiptar për dekada.

Paralelisht me këtë, ngrihet shqetësimi për propozimin për të rritur pragun zgjedhor në 4% për partitë e vogla. Një qasje e tillë konsiderohet e dëmshme për një demokraci të re si ajo e Shqipërisë, që ka vetëm 35 vite eksperiencë votimi. Shehi tha se pragu aktual prej 2.5%, i përcaktuar në Kushtetutë, është i mjaftueshëm dhe i drejtë.

Rritja e pragut në 4% shihet nga ana e kreut të LZHK-së si një lëvizje që u "pret rrugën" partive të reja dhe forcave politike në zhvillim, duke e bërë sistemin më përjashtues sesa gjithëpërfshirës.

Ironikisht, ai vuri në dukje se edhe partitë që sot e pretendojnë këtë prag, në të kaluarën nuk ekzistonin ose e kanë kaluar atë vetëm një herë, pa pasur asnjë garanci se do ta kalonin sërish në të ardhmen. Parimi bazë, sipas këtij këndvështrimi, duhet të jetë zgjerimi i demokracisë dhe jo ngushtimi i saj.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DASHAMIR SHEHIN