"Në gjykata janë rreth 70 mijë dosje në pritje"/ Jorgo: Qytetarët përballen me vonesa të mëdha

Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News ishte e ftuar juristja Mirela Jorgo, ku u diskutua mbi reformën në drejtësi dhe efektet e saj në praktikë.

Debati u fokusua në pyetjen nëse reforma ka sjellë ndryshime reale në thelb apo vetëm në formën e sistemit gjyqësor.

Juristja u ndal te harta e re gjyqësore dhe ngarkesa e madhe e çështjeve në gjykata, duke sjellë si shembull edhe vonesat në sistem.

“Sot drejtësia është nën monitorim ndërkombëtar, por forma është ndryshuar, ndërsa thelbi ka mbetur thuajse i njëjtë. Në gjykatat e apelit ka rreth 70 mijë dosje të mbetura për qytetarët e zakonshëm.”-tha juristja.

Ajo shtoi se standardi i drejtësisë nuk mund të matet vetëm me raste të profilit të lartë, por me funksionimin e përditshëm të sistemit për qytetarët.

Një tjetër çështje e ngritur ishte lidhja mes politikës dhe sistemit gjyqësor, si dhe ndikimi i marrëdhënieve personale në një vend të vogël si Shqipëria.

“Ekziston ende një perceptim i fortë i lidhjeve mes politikës dhe drejtësisë. Në një shoqëri të vogël, këto lidhje personale dhe politike shpesh ndikojnë në mënyrën si funksionon sistemi.”-shtoi Jorgo.

Gjatë emisionit u përmend edhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si një nga produktet kryesore të reformës, por me vërejtje për mënyrën e funksionimit dhe monitorimin ndërkombëtar.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: