TRAFIK NARKOTIKËSH NË ITALI/ Pas 4 vitesh arrati, arrestohet në Tiranë “truri” i grupit të dr*gës në Venecia
Një 45-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge është arrestuar në Tiranë pas një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe autoriteteve italiane.
Ai ishte në arrati prej rreth katër vitesh dhe kërkohej nga Interpoli me urdhër të lëshuar nga selia në Lion të Francës.
Sipas autoriteteve italiane, hetimet janë kryer nga skuadra e Venecias dhe Shërbimi Qendror Operativ, nën drejtimin e Prokurorisë së Venecias. Gjatë hetimit janë ndjekur lëvizjet e familjarëve të tij, çka ka ndihmuar në gjurmimin e vendndodhjes.
Dyshohet se ai ka jetuar për një periudhë në Dubai, ndërsa së fundmi ishte kthyer në Shqipëri, gjë që ka mundësuar edhe ndërhyrjen për arrestimin e tij në Tiranë.
Sipas dosjes hetimore, 45-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Venecias, i përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës në vitet 2019–2021. Ai konsiderohej si një nga personat që merrej me organizimin e furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Arrestimi i tij është pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë kriminale.

