Goditen pikat valutore pa licencë në Tiranë/ 45 mijë euro dhe miliona lekë të bllokuara në 3 subjekte

Policia e Tiranës ka goditur tre pika këmbimi valutor që ushtronin aktivitet pa licencë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë kontrolleve, u vu re se këto subjekte kryenin këmbim valutor në kundërshtim me ligjin.

Si rezultat, janë vënë në hetim tre pronarët e tyre, të identifikuar me inicialet O. L., 31 vjeç, E. P., 35 vjeçe dhe M. D., 40 vjeç. Ata ushtronin aktivitetin në rrugët “Abdyl Frashëri”, “Sokrat Miho” dhe “Sulejman Delvina”.

Gjatë operacionit u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash: 45 mijë euro, 7000 dollarë, 3000 paund dhe 1.5 milionë lekë.

Ky aksion vjen në vijim të kontrolleve të policisë për goditjen e aktiviteteve ekonomike të paligjshme. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar raste të tjera të mundshme.

Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.