EMRAT/ Banda e Call-Centerave do lirinë në Apel. Kapen 238 telefona e 443 kompjutera. Çohen për ekspertim në polici
Dosja penale me Nr.3377 që flet për një prej grupeve të shumta të mashtrimit me Call-Centera në Tiranë, ka mbëritur në dyert e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku 6 personat e arrestuar 3 javë më parë, kërkojnë zbutjen e masës së sigurisë në Apel, duke synuar daljen nga qelia.
Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli dhe Aida Vokli, kanë depozituar ankimet e tyre në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në burg” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, të vënë në 16 Prill 2026 nga gjyqtarja e shkallës së Parë Tiranë, Elona Çabej.
Çështja, tashmë është në duart e gjyqtares, Valdete Hoxha, e cila do marrë në shqyrtim rastin penal, ku sipas prokurorisë së Tiranës personat e arrestuar në bashkëpunim dhe me individë të tjerë përmes platformave online, kanë kryer mashtrimin e qytetarëve Austriakë dhe Gjermanë.
Dëmi financiar është llogaritur diku tek 30 milion euro. Ndërsa autorët e dyshuar të këtij dëmi, pretendojnë në gjykatën e Apelit të lirohen pasi kanë kushte jo favorizuese në familjet e tyre.
Prokuroria e Tiranës ka kundërshtuar kërkesat për lirimin e tyre nga qelia, pasi hetimet janë në dinamikë e sipër dhe po verifikohet roli i personave të tjerë si Granit Pepnika nga Tropoja, Fisnik Nezaj nga Tirana, Jurgen Mela nga Tirana dhe ortakja e këtij të fundit, Megi Mela nga Fieri.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se gjatë kësaj kohe prokuroria e kryeqytet, ka sekuestruar plot 443 kompjutera, 238 aparate telefonike, të cilët i ka çuar për ekspertim kibernetik pranë Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit.
Qëllimi është për të kuptuar dhe identifikuar personat e tjerë që kanë marrë pjesë në këtë skemë të mirëfilltë mashtrimi online, që kryhet nga Tirana drejt qytetarëve Austriakë dhe Gjermanë.
Xhoel Mekolli, nga Vranishti i Devollit, që sipas hetimit rezultoi të kishte përdorur 2 qendra IP-jë për të mashtruar qytetarët austriakë, ka kërkuar në Apel lirimin nga qelia dhe caktimin e një mase më të butë sigurimi.
Mekolli, ushtronte aktivitetin nga banesa e vjehrrit të tij në Tiranë, Artur Bishami si dhe nga kompania “Espiron Studio”, e Marsel Lamit.
Tashmë Xhoel Mekolli, i kujton gjykatës se kërkesa e tij të merret parasysh, pasi ai është një individ i padënuar më parë dhe pret të bëhet baba. Njëherësh Mekolli, ka shfaqur gatishmërinë të jetë në dispozicion të organit të prokurorisë.
Në të njëjtën linjë me Xhoel Mekollin është dhe i arrestuari tjetër Tedi Agastra, i cili pretendon se familja e tij ndodhej në një situatë të vështirë për shkak të një dënimi të mëparshëm që ka marrë.
Sipas Agastrës, babai i tij vuante nga depresioni, ndërsa ishte nëna ajo që mbante familjen. Nisur në këto kushte, Tedi Agastra, ka kërkuar në Apel heqjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” dhe caktimin e një mase më të butë, si ajo e “Arrestit në shtëpi”.
Njëherësh, Mateo Hoxha, ka kërkuar caktimin e një mase sigurimi më të lehtë, si “Arrest në shëpi” apo “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sipas avokatëve mbrojtës të Mateo Hoxha, ai është student dhe nuk ka lidhje me ngjarjen. Sipas tyre, prokuroria nuk ka sqaruar se kë ka mashtruar, si e ka mashtruar dhe cila është shuma monetare e përfituar.
Kurse, Eduart Dalla, kërkon nga Gjykata e Apelit të lirohet nga qelia, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe mashtrimit Call-Centër, por vetëm ka ofruar shërbime interneti.
Dalla thotë se nuk i ka dhënë IP-të asnjë nga ofruesit e shërbimeve. Sipas tij ai është baba i dy fëmijëve ndaj duhet të qëndrojë pranë familjes.
Edhe i arrestuari tjetër, Ledio Toçi, pretendon se nuk ka pasur asnjë veprimtari kriminale, por thjesht ka punuar si ekspert IT-jë në njërën prej subjekteve të “Call-Centërave” që ishte i liçensuar.
Ledio Toçi, thotë në Apel se s’ka lidhje me veprimtarinë mashtruese dhe kërkon të dalë nga burgu pasi ai ka një fëmijë të vogël 2 vjeç.
Në të njëjtën linjë është dhe e ndaluara, Aida Vokli, e cila kërkon heqjen e masës së sigurimit “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”
Aida Vokli, thotë se punonte si financiere pranë një subjekti të licencuar dhe nuk kishte lidhje me veprimtarinë mashtruese të “Call-Centërave”. Sipas saj ajo kërkon heqjen e dy masave të sigurisë pasi ka një fëmijë të vogël 2 vjeç për të cilin duhet të kujdeset.
Lidhur me këtë çështje në kërkim janë shpallur dhe Marsel Lami 29 vjec dhe Xhoni Hitaj 31 vjeç.
MASË ARREST NË BURG
Eduart Dalla 48 vjeç (I arrestuar)
Mateo Hoxha 24 vjeç (I arrestuar)
Tedi Agastra 23 vjeç (I arrestuar)
Ledio Toçi 33 vjeç (I arrestuar)
Xhoel Mekolli 29 vjec (I arrestuar)
Marsel Lami 29 vjec (Në kërkim)
Xhoni Hitaj 31 vjeç (Në kërkim)
NDALIM DALJE JASHTE VENDI
Aida Vokli 33 vjeç (masë e ekzekutuar)
Ledjon Cenaj 25 vjeç (masë e paekzekutuar)
TË ARRESTUAR NË FLAGRANCË
Kristjan Buda 38 vjeç
Eno Hana 32 vjeç
Benard Biba 26 vjeç
Kleidi Dyrma 25 vjeç
Ema Taip 25 vjeç
/ Nga Elton Qyno - Syri.net


