U shua në moshën 89-vjeçare, sot homazhe për ish-kreun e Kuvendit, Servet Pëllumbi

Sot, më datë 6 maj po mbahet ceremonia mortore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

Arkmorti ka mbërritur në sheshin Skënderbej në orën 09:00 dhe më pas u vendos në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Homazhet në nder të Pëllumbit nisën në orën 09:30 dhe në orën 12:00 do të mbahen homazhet zyrtare.

Në orën 12:30 do të nisë ceremonia e përcjelljes, ndërsa do të mbahen dy fjalime. Shoqërimi do të behet sipas protokollit shtetëror, ndërsa nisa për në varrezat e Sharrës do të jetë në orën 13:00.

Gjatë kësaj kohe, figura të ndryshme politike kanë mbërritur në Teatrin e Operas dhe Baletit, si Jozefina Topalli, Zef Preci, Agron Gjekmarkaj, Helidon Bushati dhe Xhemal Qefalia.

Pëllumbi është një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe ish-kryetar i Kuvendit. Ai është konsideruar një nga figurat më me integritet që pas viteve ’90.

Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve 90, ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. I ndjeri ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi.

Nga viti 1960 – 1963, ai ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Që nga ky vit, politikani është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës, teksa për gati tre vite ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.

Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996.

Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare.