“Shqipëria po zbrazet, jo si Europa”/ Boçi nga Vlora: Largimi nuk është zgjedhje, por detyrim
Luciano Boçi ka folur nga Vlora për çështjen e shpopullimit në vend, duke e lidhur atë me mungesën e mundësive dhe dobësimin e pushtetit vendor.
Sipas tij, largimi i shqiptarëve nuk është një proces normal si në vendet europiane, por një pasojë e drejtpërdrejtë e kushteve në vend.
Ai kundërshtoi krahasimin me Zvicra, duke thënë se atje njerëzit lëvizin për mundësi më të mira, ndërsa në Shqipëri largohen sepse nuk i gjejnë këto mundësi.
Boçi foli edhe për të dhënat që, sipas tij, tregojnë një rënie të ndjeshme të popullsisë, duke e krahasuar ritmin e largimit me vende që kanë kaluar konflikte. Ai e lidh këtë situatë me mungesën e shërbimeve dhe përfaqësimit në nivel lokal.
Në fjalën e tij, ai ngriti shqetësimin për mënyrën si funksionon pushteti vendor, duke thënë se ligjet dhe ndërhyrjet e vazhdueshme e kanë dobësuar atë. Sipas tij, nuk ka një kërkesë nga Bashkimi Europian për ndryshime të tilla dhe problemet janë të brendshme.
Boçi propozoi që një pjesë më e madhe e buxhetit t’u kalojë bashkive, duke përmendur si ide që 14% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për pushtetin vendor, në mënyrë që të rritet autonomia financiare.
Ai solli si shembuj bashkitë e vogla si Finiq dhe Konispol, ku sipas tij, kur ka më shumë mundësi financiare, shërbimet funksionojnë më mirë. Në fund, ai u ndal edhe te problematikat në Vlorë, duke përmendur vështirësitë që qytetarët hasin çdo ditë me shërbimet bazë.

