Gjykata e Lartë ndryshon praktikën për “arrestin me burg”/ Karanxha tregon se kush përfiton nga vendimi i ri
I ftuar në studion e “Ora News” ishte ish-prokurori Ervin Karanxha, i cili komentoi vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për unifikimin e praktikës mbi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi e cilëson arrestin në burg si masë të jashtëzakonshme dhe jo si zgjidhje të parë, duke udhëzuar gjykatat dhe prokuroritë që të përdorin masa më të lehta kur është e mundur, si arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje.
Sipas ish-prokurorit, ky ndryshim sjell një qasje më të kujdesshme në trajtimin e të pandehurve dhe synon të shmangë përdorimin e tepruar të paraburgimit.
“Arresti në burg duhet të jetë zgjidhja e fundit. Gjykata ka saktësuar se çdo masë tjetër duhet të shihet më parë, dhe vetëm kur ato nuk mjaftojnë, kalohet te paraburgimi.”-tha Karanxha.
Ai shpjegon se vendimi forcon parimet e Kodit të Procedurës Penale, ku masa e sigurisë nuk është dënim, por një mjet për të garantuar zhvillimin normal të hetimeve.
“Qëllimi nuk është ndëshkimi paraprak, por sigurimi i pranisë së personit në proces. Gjykata ka unifikuar praktikën që kjo të zbatohet njësoj në të gjitha rastet.”-u shpreh ai.
Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen në një kontekst ku debati për numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri ka qenë i vazhdueshëm. Sipas juristëve, ndryshimi pritet të sjellë një qasje më individuale në vendimmarrjen gjyqësore, duke marrë në konsideratë rrezikshmërinë, rrethanat dhe mundësinë e përsëritjes së veprës.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

