Maturantë, mos bini pre e panikut! Psikologia Mane zbulon teknikat e thjeshta për të mposhtur stresin para provimeve

Në prag të provimeve të Maturës Shtetërore, një nga sfidat më të mëdha për të rinjtë nuk është vetëm materia për të mësuar, por edhe menaxhimi i stresit.

Psikologia, Graciela Mane, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News" shpjegon se si ky presion mund të kthehet në aleat dhe ofron këshilla praktike për të përballuar këtë periudhë me sukses.

Ndryshe nga sa mendohet, stresi nuk është gjithmonë negativ. Sipas ekspertes, një dozë e caktuar stresi është normale dhe madje e dobishme, pasi ndihmon në rritjen e performancës akademike.

Ky lloj stresi “pozitiv” mobilizon maturantët për të dhënë më të mirën e tyre. Megjithatë, kur presioni bëhet i tepërt, situata ndryshon rrënjësisht. Niveli i lartë i stresit çon në humbje të fokusit, shpërqendrim dhe ulje të ndjeshme të aftësisë për të mësuar, duke krijuar një lloj "bllokimi mendor".

" Në fakt është shumë e rëndësishme të kuptojmë që stresi është një proces normal deri në një dozë të caktuar, le të themi, dhe na ndihmon me performancën akademike dhe me çdo lloj performance tjetër ë, me çdo veprim tjetër.

Mobilizohemi për të dhënë më shumë, por ama në momentin që stresi na bëhet i lartë, ne na humbet fokusi ë, fillon ai shpërqëndrimi, sepse na ulet ndjeshëm aftësia për të mësuar dhe kemi gati gati si një lloj blloku ë, si një lloj, si një lloj bllokimi të mendjes. Për këtë arsye është e rëndësishme, thashë, ndjekja e rutinave apo të marrit kohë për t'u shplodhur, për ndonjë aktivitet të vogël argëtues, në mënyrë që të ruhet balanca.

Dhe këtë nuk e kemi në dorë vetëm me fjalë, le të themi, kur flasim për stresin kemi parasysh që në nivelin hormonal diçka lëviz ë, një stres i lehtë na ngre ë atë nivelin e hormonit të stresit, nivelin e kortizolit.

Prandaj është shumë e rëndësishme pak aktivitet fizik i moderuar, jo i tepruar sepse na bën efektin bumerang, na bën të kundërtën.

Por ama një nivel i moderuar i aktivitetit fizik i vazhdueshëm, gjetjen e një kohe për të, do ishte një nga balancat më të mira për të sistemuar një çikë ato nivelet e kortizolit kur që kanë tendencën të jenë të rritura kur niveli i stresit apo preokupimi ynë është pak më i lartë sesa zakonisht.

E para do ishte rutina, ngul këmbë te rutina, te procesi i gjumit edhe te gjithçka tjetër, te përditshmëria jonë.

E dyta pastaj është mënyra se si ndonjëherë i flasim vetes, me ato dialogët e brendshëm brenda mendjes tonë që themi duhet të bëj këtë apo duhet të bëj atë.

Në momentin që jemi para një zgjedhje të tillë, mos harrojmë që maturantët e e kanë, le të themi si gjënë kryesore që përcakton vazhdimësinë e jetës së tyre, ndërkohë që jeta është e gjatë dhe gjithmonë ka hapësirë për të ndryshuar apo për të bërë hapa të rinj.

Por maturantët kanë tendencën që të ngecin tek mendimi që kjo është e ardhmja ime, ky është momenti im më i rëndësishëm.

Dhe të gjitha këto na bëjnë atë stresin e dhe presionin e shtuar. Dhe ka shumë rëndësi mënyra se si i flasim vetes.

Ndonjëherë e vëmë re të menduarit që nuk duhet të gaboj asgjë, duhet të jem perfekt. Ndërkohë që mjafton që t'i kujtojmë vetes që do bëjmë më të mirën që kemi në dorë të bëjmë ne, ashtu siç kemi bërë dhe ja kemi dalë gjithmonë. Për sa kohë kemi arritur deri këtu, do të thotë që dimë t'ia dalim gjithmonë dhe ky është një nga hapat e tjerë të jetës tonë", u shpreh Mane.

Ndiqni intervistën e plotë: