LAERT HAXHIU SHMANG “USHTARIN”/ Kreu i Bandës së Lushnjes nuk përballet me të penduarin Artan Tafani
Laert Haxhiu refuzoi përballjen në gjykatë me Artan Tafani, ish bashkëpunëtor tashmë me statusin e të penduarit të drejtësisë ndërsa gjykohet për 14 krime të rënda. Tafani dëshmoi për porosi me tritol dhe zbërtheu veprimtarinë e grupit kriminal në Lushnjë.
Laert Haxhiu refuzoi mundësinë e përballjes në Gjykatën e Posaçme me Artan Tafanin, ish-anëtar i grupit kriminal që ai drejtonte, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, në procesin ku kreu i bandës së Lushnjës gjykohet për 14 krime të ndryshme.
Me statusin e të penduarit, Tafani ndihmoi SPAK të zbërthejë dhe dokumentojë veprimtarinë e grupit kriminal me bazë në Lushnjë, me aktivitet të shtrirë edhe jashtë vendit.
I pyetur nga prokurori Behar Dibra, ai shpjegoi para gjykatës njohjen me Laert Haxhiun dhe mënyrën se si u bë pjesë e të ashtuquajturës “banda e re e Lushnjës”.
Tafani: Me Laertin jam njohur nga një djalë nga Lushnja. Jemi takuar në Dajt nëpërmjet Lulzim Arapit, ai ma ka prezantuar. Laerti më ka thënë “çfarë di të bësh”, pasi kishte marrë informacione se unë kisha bërë vjedhje me dhunë.
Artan Tafani tregoi në SPAK edhe disa nga krimet që pretendon se ka kryer me porosi të Laert Haxhiut apo në bashkëpunim me të.
Tafani: Më ka kërkuar Laerti t’i vendos një sasi tritoli në një banesë në Lushnjë, në pronësi të Erjon Çokut. Për këtë ngjarje kam takuar Laertin dhe më ka thënë se çfarë duhet të bëj. Tritolin e kisha unë, ma kishte dhënë Sajmir Krasniqi. Më ka dhënë Laerti 100 euro sa për lekë xhepi. Nga Korça shkova direkt në Lushnjë dhe, rreth orës 2-3 të natës, shkova e vendosa tritolin dhe u ktheva prapë në shtëpi.
Laert Haxhiu, nga ana tjetër, ka kërkuar 60 dëshmitarë në procesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, ku ai po gjykohet i ndarë nga bashkëpunëtorët për 14 krime të rënda, si vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Për episodin e tritolit në dyqanin e këngëtarit Noizy në Durrës, avokatët e Haxhiut kërkuan të thirret si dëshmitar Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur. Për të njëjtën çështje në gjykatë u kërkua edhe Cllevio, një debat i të cilit me Noizyn dyshohet se u bë shkak për sulmin me eksploziv, të porositur nga Haxhiu, sipas dosjes hetimore.
