Zvarritja e proceseve gjyqësore/ A do ta shtyjnë Erion Veliaj dhe Plarent Ndreca edhe seancën e sotme?
Sot do të zhvillohet seanca e radhës gjyqësore në Apelin e GJKKO-së ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, mbi të cilin rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj, i cili mbrohet nga avokati i pandehur Plarent Ndreca.
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës i akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje pasurie dhe futjen e sendeve të ndaluara në qeli ka ankimuar vendimin e gjykatës për pezullimin e afatave të paraburgimit.
Pezullimi i afateve të paraburgimit është marrë në datën 24 mars 2026, sepse kishte një strategji të Erion Veliajt, i cili që nga 24 korriku i vitit 2025 shtyn pambarimisht seancat.
Zvarritjet e proceseve gjyqësore vijojnë prej 9 muajsh, që prej korrikut të vitit 2025. Erion Veliaj ka përdorur taktika të ndryshme për të shtyrë seancat, pasi ka frikë të përballet me drejtësinë, me provat dhe faktet që janë gjetur ndaj tij.
Për Veliajn janë dorëzuar 61 mijë faqe që provojnë me fakte akuzat e ngritura nga prokurorët ndaj tij.
Erion Veliaj që prej ditës që është arrestuar i ka ikur përballjes me drejtësinë dhe ka dirigjuar sulme të njëpasnjëshme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve duke përdorur mediat shërbëtore të paguara nga vëllai i tij apo nga inceneratorët.
Skemat e tij të sulmeve kanë shkuar deri në lobime 220 mijë dollarëshe, duke mbushur raporte me mashtrime dhe gënjeshtra të cilat janë zbërthyer të gjitha duke nxjerrë në dritë skenarët e kryebashkiakut dhe mediave të paguara prej tij për të ushtruar presion ndaj drejtësisë./ CNA
