Arrestimi i Ervin Matës/ Lala: Në momentin e arrestimit mbante letra britanike të falsifikuara por u identifikua nga gjurmët e gishtërinjve

Gazetarja Klodiana Lala ka folur për arrestimin e Ervin Matës në Brazil. Gjatë një interviste televizive, Lala deklaroi se në momentin e arrestimit ai mbante letra britanike të falsifikuara, por u identifikua nga gjurmët e gishtërinjve.

Gazetarja tha se SPAK ka konfirmuar zyrtarisht që është kërkuar ekstradimi i Ervin Matës në drejtim të Shqipërisë. Lala theksoi se Mata akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike, të llojit kokainë dhe për grup të strukturuar kriminal.

Klodiana Lala: Që Ervin Mata kishte dyshime të forta që fshihej në Brazil normalisht këto diheshin që në momentet e para kur u shpall në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”, në atë kohë u godit një grup i strukturuar kriminal ku kreu i grupit dyshohej Ervin Mata, i cili njihej me nofkën “Boli i kokainës”. Ishte një personazh i njohur si i përfshirë në atë që njihet si masakra në zonën e ish-Bllokut, ku pati të vrarë dhe një përplasje shumë të fortë me Ervis Martinajn, i zhdukur pa gjurmë që nga viti 2022.

Është arrestuar në fakt disa ditë më parë, por News24 e ka mësuar lajmin dhe më pas është konfirmuar përmes njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit. Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, dhe po ashtu për grup të strukturuar kriminal. Në momentin e arrestimit në Brazil ai mbante dokumente dhe pasaportë, por edhe letra të tjera britanike të falsifikuara.

Dhe pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, por edhe të dhënave të tjera, është konfirmuar që Ervin Mata është personi që fshihej në shtetin e Brazilit. Ditën e sotme, pas informacioneve të News24, kemi pasur kontakte edhe me SPAK, e cila ka konfirmuar zyrtarisht që është kërkuar ekstradimi i Ervin Matës në drejtim të Shqipërisë.

Ngjarja te “Monopol” ka qenë një nga masakrat më të rënda, ndërkohë sa i përket akuzave, ju e dini bëhet fjalë për një grup shumë të madh që fillon që nga vrasja, përfshirja e zyrtarëve të lartë të policisë, korrupsioni deri te trafiku i kokainës. Ardhja e tij në Shqipëri do të sjellë një panoramë tjetër. Të gjitha vendet po i dorëzojnë të kërkuarit nga Shqipëria, e konkretisht nga SPAK.