Ina Majko: Prilli i dedikuar romëve, fokus te përfshirja sociale dhe politikat e reja

Ina Majko: Prilli i dedikuar romëve, fokus te përfshirja sociale dhe
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ina Majko, ka ndarë një reflektim mbi aktivitetet e zhvilluara gjatë muajit prill, duke e cilësuar atë si një periudhë të dedikuar çështjeve të komuniteteve rome dhe egjiptiane.

Sipas saj, më 8 prill në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u prezantua Plani Kombëtar i Veprimit 2026–2030 për Romët dhe Egjiptianët, i cili parashikon masa konkrete në shtatë fusha kryesore të jetës, përfshirë arsimin, punësimin, shëndetësinë, strehimin dhe përfshirjen sociale, me përgjegjësi të ndara për institucionet qendrore dhe vendore.

Majko thekson gjithashtu pjesëmarrjen në diskutime ndërkombëtare në “College of Europe” në Tiranë, ku u trajtuan çështje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rëndësia e dinjitetit në politikat e përfshirjes.

Në vijim, ajo përmend aktivitetet kulturore në Festivalin “Roma Romale” në Roskovec, si dhe “Roma Week” në Bruksel, ku u diskutuan sfidat dhe progresi i komuniteteve rome në Europë, përfshirë edhe kontributin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Majko thekson se përfshirja sociale nuk është një veprim i momentit, por një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim dhe bashkëpunim të qëndrueshëm, duke nënvizuar se çështjet e komuniteteve rome duhet të mbeten në qendër të politikave europiane.