Baste me celular në mes të Tiranës/ Zbulohen 3 lokale në Astir dhe Kombinat, 2 në pranga dhe 1 në kërkim
Policia në Tiranë ka zbuluar tre lokale në zonat e Astirit dhe Kombinatit, ku organizoheshin lojëra fati në mënyrë të kundërligjshme përmes celularëve.
Aksioni është pjesë e operacionit “Fati i lojërave”, që po vijon nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Gjatë kontrolleve, janë arrestuar në flagrancë dy persona: A. B., 51 vjeç, dhe E. A., 44 vjeç. Ndërkohë, një tjetër shtetas, M. B., është shpallur në kërkim.
Po ashtu, janë proceduar penalisht edhe tre persona të tjerë: N. L., B. K., 58 vjeç, dhe R. U., 56 vjeç.
Në Astir, gjatë kontrollit në një lokal në pronësi të shtetasit M. B., një personi iu gjetën në celular faqe aktive për vendosjen e basteve sportive.
Një rast i ngjashëm u zbulua edhe në rrugën “Sabaudin Gabrani”, ku në dy lokale të ndryshme u konstatuan celularë që përdoreshin për të njëjtën veprimtari.
Policia ka sekuestruar celularët që përdoreshin për lojërat e fatit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka edhe raste të tjera. Materialet janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

