"Kërkohet hetim i plotë"/ Këshilli Shqiptar i Medias dënon djegien e makinës së gazetarit Sami Curri

Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 26 prillit 2026 në Bulqizë.
Sipas deklaratës, automjeti i parkuar pranë banesës së tij është përfshirë nga flakët në rrethana që ngrejnë dyshime për një akt të qëllimshëm, i lidhur me ushtrimin e profesionit të gazetarisë.
Këshilli e cilëson ngjarjen jo vetëm si sulm ndaj një individi, por si kërcënim serioz ndaj lirisë së medias dhe parimit që gazetarët duhet të raportojnë pa frikë dhe pa presion.
Institucioni u kërkon autoriteteve shqiptare të zhvillojnë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të pavarur, me qëllim identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve të mundshëm.
Gjithashtu, i bëhet thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të mediave që të dënojnë publikisht ngjarjen dhe të mbështesin gazetarët në ushtrimin e detyrës së tyre.
Në reagim theksohet se pandëshkueshmëria në raste të tilla përçon një mesazh të rrezikshëm dhe se mbrojtja e gazetarëve është detyrim ligjor dhe standard themelor europian për lirinë e shprehjes.
