Kapen në flagrancë dy hajdutë serial, zbardhen tre vjedhje në Sarandë

Policia e Sarandës ka përfunduar një operacion kundër vjedhjeve me xhep, i quajtur “Pick pocket”, ku janë zbuluar tre raste dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Në pranga kanë rënë A. P., 58 vjeç, dhe E. S., 45 vjeç, të dy banues në Fier dhe me precedent për vjedhje.

Ata janë kapur në flagrancë më 25 prill 2026, pasi dyshohet se i kanë marrë celularin një qytetari në Sarandë.

Nga hetimet ka dalë se të njëjtët persona dyshohet të kenë kryer edhe dy vjedhje të tjera, më 19 prill dhe më 28 janar 2026, në lagjet nr. 3 dhe nr. 4 të qytetit, ku u kanë marrë portofolat me para dy qytetarëve.

Policia po vazhdon punën për të parë nëse janë të përfshirë edhe në raste të tjera. Dosja i është dërguar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.