BORDI IA FUT “ME TOP”/ Çmimi i naftës me vendimin e ri shënon rekord 224 lekë për litër
Çmimi i naftës në pikat me pakicë do të rritet në 224 lekë për litër duke filluar nga ora 20:00 e kësaj të premte.
Ndonëse qeveria i mëshoi gjatë paradites uljes me 20 për qind të akcizës mbi naftën, qytetarët shqiptarë do të paguajnë sërish çmim më të lartë pasi efekti i uljes së akcizës është gëlltitur nga rritja e çmimit të naftës në bursa.
Sipas vendimit të sotëm të Bordit, një litër naftë do të tregtohet në tregun e pakicës në 224 lekë, nga 218 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 6 lekësh.
Sipas një akti normativ të miratuar nga qeveria, sa herë që çmimi i naftës në tregun vendas kapërcen nivelin 220 lekë për litër, atëherë akciza e naftës ulet automatikisht me 20 për qind, ose rreth 9 lekë për litër bashkë me efektin e TVSH-së.
Pa aktivizimin e klauzolës, që ul akcizën me 9 lekë, çmimi i naftës sipas Bordit do të ishte 233 lekë për litë.
Për benzinën çmimi mbetet i pandryshuar në 181 lekë për litër.
Vendimi i Bordit për rritjen e çmimit të naftës në pikat me pakicë erdhi pasi një ditë më parë çmimi i naftës në bursa kërceu me gati 200 dollarë për ton duke arritur nivelin 1617 dollarë.
NJOFTIMI I BORDIT TË TRANSPARENCËS:
Bordi i Transparencës në datë 3 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 224 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 212 lekë/litër. Kjo në zbatim të Aktit Normativ të miratuar sot, niveli i akcizës u ul 20 % ose e bashkë me TVSH ulja me 9.5 lek/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 3 ora 20.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

