INVESTIME JAPONEZE DREJT SHQIPËRISË! Ambasada dhe Dhoma e Biznesit nxisin bashkëpunimin ekonomik

Në forumin e dytë të biznesit të organizuar në Tiranë nga Dhoma Shqiptaro-Japoneze e Biznesit dhe Industrisë, nën kujdesin e presidentit Avni Ponari, ambasadorja japoneze Kiko Koto përcolli mesazhe të rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Ajo theksoi se që nga viti 2018, Japonia mbështet reformat ekonomike dhe sociale në vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin në Bashkimin Europian, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në këtë kuadër, Japonia po inkurajon kompanitë e saj të investojnë dhe të zhvillojnë aktivitete në rajon përmes masave konkrete si misionet e biznesit të organizuara nga Xhetro. Sipas saj, mbështetja e kompanive japoneze jashtë vendit mbetet një prioritet i diplomacisë japoneze. Ambasada në Tiranë do të vijojë bashkëpunimin duke synuar forcimin e marrëdhënieve biznes me biznes dhe thellimin e lidhjeve ekonomike mes Japonisë dhe Shqipërisë.

INVESTIME JAPONEZE DREJT SHQIPËRISË! Ambasada dhe Dhoma e Biznesit

Ambasadorja e Japonisë në Tiranë theksoi se forumi ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis Japonisë dhe Shqipërisë, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve shqiptarë mbi rolin e Dhomës Shqiptaro-Japoneze e Biznesit dhe Industrisë, në zhvillimin e bashkëpunimeve konkrete.

INVESTIME JAPONEZE DREJT SHQIPËRISË! Ambasada dhe Dhoma e Biznesit

Një shembull i tillë është partneriteti me dhomën e tregtisë dhe industrisë në qytetin e rëndësishëm të Çiba. Forumi u përshëndet gjithashtu përmes video mesazheve nga Hidetoshi Sakuma, president i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Çiba dhe Kiko Spektor, konsull e nderit e Shqipërisë në Çiba, të cilët e vlerësuan këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe biznesore midis dy vendeve.

Manuel Kaneko, përfaqësues i Xhetro, organizatës japoneze për tregtinë e jashtme me zyrë në Vienë, vendosi theksin te tre fjalë kyçe: qartësi, ndërlidhje dhe vazhdimësi. Ai shprehu mbështetjen për forumin duke e parë si një ekosistem që garanton ndërlidhje dhe perspektivën lokale. Kaneko shprehu mbështetjen për nismat që promovojnë veçanërisht inovacionin, duke evidentuar si segmente me shumë interes manifakturën dhe teknologjinë.

Dhoma Shqiptaro-Japoneze e Biznesit dhe Industrisë, e mbështetur nga ambasada që prej themelimit, ka zhvilluar vizita në Japoni në vitet 2023 dhe 2025, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me institucione shtetërore dhe komunitetin e biznesit japonez. Organizata vazhdon të zgjerojë aktivitetin e saj dhe mirëpret interesin e biznesmenëve shqiptarë për t'u bërë pjesë e saj.