FRIKA E BURGUT/ 15.3% më pak tendera në 2025-n
Hetimet intensive të SPAK, të shoqëruara shpesh edhe me ndëshkime dhe fokusi i shtuar i Prokurorisë së Posaçme në procedurat e prokurimit publik po jep impakt në tkurrjen e tyre, duke sjellë më tej edhe ngërçin e reflektuar edhe në Buxhetin e Shtetit ku paratë nuk shpenzohen, ose shpenzohen masivisht përgjatë ditëve të fundit të vitit buxhetor.
Rënia është bërë edhe më e dukse në vitin 2025 sipas të dhënave të bëra publike nga APP. Sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike, numri i procedurave të përfunduara me fitues ka rënë në 4,186 nga 4,836 në vitin 2024, pra një rënie me 13.4% ndërsa edhe numri i procedurave të shpallura ka rënë në 5,766 nga 6,811 një vit më parë, ose 15.3% më pak.
Paralelisht, vlera totale e fondit limit është tkurrur ndjeshëm në 126.4 miliardë lekë (nga 199.5 miliardë lekë në 2024), ose 36.6% më pak, ndërsa vlera e kontratave të fituara ka rënë në 109.6 miliardë lekë nga 171.4 miliardë lekë, thënë ndryshe 36.1% më pak.
Edhe pse raporti i procedurave të përfunduara me fitues ndaj atyre të shpallura është rritur në 72.6% (nga 71%), kjo rritje mbetet më shumë statistikore, pasi shoqërohet me një tkurrje të përgjithshme të tregut dhe të fondeve.
Procedurat “e hapura të thjeshtuara” përbëjnë 2,346 raste ose 56% të totalit të procedurave me fitues, duke treguar se pjesa më e madhe e tenderave zhvillohet në segmente me vlera të vogla. Në të kundërt, procedurat “mbi kufirin e lartë monetar” janë vetëm 921, por përthithin një pjesë të madhe të fondeve, me mbi 54.7 miliardë lekë të fituara.
Procedurat e hapura standarde mbeten gjithashtu një komponent i rëndësishëm, me 902 raste dhe rreth 44.6 miliardë lekë vlerë të fituar. Ndërkohë, kategoritë e tjera kanë peshë minimale, si shërbimet sociale apo konsulenca, që përfaqësohen me vetëm nga 1 procedurë secila.
Sa i përket përqendrimit të fondeve, rreth 50% e vlerës totale të kontratave të fituara vjen nga procedurat mbi kufirin e lartë monetar, ndërsa 40.7% nga procedurat e hapura. Në krahasim, procedurat e thjeshtuara, ndonëse dominojnë në numër, përbëjnë vetëm rreth 6.6% të vlerës totale. /ekofin.al

