Territorialja pas 10 vitesh, Koçi: Bashkitë aktuale, s’kanë arritur t'i përgjigjen problematikave të zonave rurale

Në një kohë kur debati për rishikimin e reformës territoriale të vitit 2014 është ndezur sërish, një analizë e thelluar nxjerr në pah se sfidat e qeverisjes vendore janë më komplekse sesa thjesht një ndarje hartash.

Reformat në Shqipëri, veçanërisht ajo territoriale, shpesh janë peng i interesave politike të momentit, duke dështuar të adresojnë problemet reale dhe afatgjata të komuniteteve.

Sipas analizës së ish-deputetit dhe ish-ministrit socialist Petro Koçi në studion e emisionit “Drejt” në “Ora News”, një nga defektet themelore të reformave në vend është ndikimi i theksuar i konjukturave politike.

Reduktimi drastik i njësive vendore nga rreth 370 në 61 në vitin 2014, megjithëse shihej si një hap radikal dhe i nevojshëm për të frenuar copëzimin e palogjikshëm, pas një dekade kërkon një bilanc të plotë.

Ky bilanc duhet të vlerësojë jo vetëm aspektet pozitive, por edhe ato negative që kanë dalë në pah. Ndarja e mëparshme, e frymëzuar nga pazaret politike ku çdo fshati i premtohej statusi i komunës në këmbim të votave, tha Petro Koçi tregoi se si interesat afatshkurtra mund të dëmtojnë planifikimin strategjik.

Një nga çështjet më problematike që ka lindur nga kjo reformë është bashkimi i zonave rurale me ato urbane nën një ombrellë të vetme administrative.

Kjo ka bërë që nevojat specifike të fshatit dhe bujqësisë të mbeten të paadresuara. Bashkitë aktuale, sipas Koçit, nuk kanë arritur t'i përgjigjen siç duhet problematikave të zonave rurale, të cilat kërkojnë një fokus dhe strategji të veçantë.

Edhe pse transferimi i disa kompetencave, si kullimi apo vaditja, nga qeveria qendrore te bashkitë ishte një hap pozitiv, ai mbetet i pamjaftueshëm për të sjellë një ndryshim rrënjësor.

Një tjetër alarm ngrihet për atë që përshkruhet si "abuzim në emër të autonomisë vendore": rritja e papranueshme e numrit të administratës në njësitë vendore.

Kjo fryrje e administratës, konsiderohet për Koçin si një barrë e rëndë që dëmton interesat ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Nisur nga këto ai tha se nevoja për një ndërhyrje ligjore që të kufizojë këtë fenomen pa cenuar thelbin e autonomisë së pushtetit lokal.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”