"S'ka justifikim"/ Ndoja: Garda e Republikës nuk lejoji deputetët për të marrë pjesë në takimin e Ramës me banorët në Durrës për projektin TID
Deputeti demokrat Arian Ndoja ngriti shqetësimin për pengesat që ai dhe kolegu i tij Igli Cara hasën gjatë përpjekjes për të marrë pjesë në një takim mes kryeministrit dhe banorëve të Durrësit më 14 shkurt, lidhur me projektin TID në zonën historike. Duke folur në Kuvend, Ndoja theksoi se punonjësit e Gardës së Republikës nuk lejuan hyrjen e deputetëve, duke theksuar se kjo nuk është çështje personale, por problem ligjor dhe institucional.
Deputeti kërkoi që Ministria e Brendshme të marrë masa për të parandaluar shkelje të tilla në të ardhmen dhe për të garantuar respektimin e ligjit dhe statusit të deputetëve, duke përmendur edhe vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që mbrojnë deputetët dhe protestuesit paqësorë nga përdorimi joproporcionale i forcës. Ai vuri në dukje se respektimi i ligjit është thelbësor për kulturën e institucioneve dhe besimin e publikut te organet e shtetit.
"Të nderuar kolegë, pyetja ime është në respektim të nenit 95 të rregullores së Kuvendit. Faktikisht, në këndvështrimin tim, kohën kur e kam bërë, kam pritur që seanca të bëhesh brenda ditës së mërkurë, sipas përcaktimit që bën rregullorja. Megjithatë, është lënë mbas një afati, ku ka ndryshuar edhe ministri i Brendshëm si individ, po dhe kanë ndodhur disa ngjarje të tjera që kanë lidhje me këtë pyetje. Tani shkurt fare, në datën 14 shkurt, është bërë një takim mes kryeministrit të Republikës, kryetares së Bashkisë së Durrës me banorët që preken nga projekti në zonën historike, projekti i TID që e kemi diskutuar disa herë me ADF-në. Në momentin që kemi marrë njoftim nga banorët, unë së bashku me kolegun Igli Cara, kemi tentuar që të hymë në mbledhjen e organizuar, në takim me banorët ku ndodhnin disa ndryshime që bien ndesh edhe me vetë vendimin e Këshillit të Ministrave për mënyrën e përcaktimit të trajtimit të këtyre banorëve. Aty jemi hasur me një punonjës të Gardës së Republikës, i cili na ka thënë që nuk lejohet që të futen deputetët. Procedura normale do ishte që të bënim një kallëzim ndaj atij individi dhe ai të ndëshkohesh dhe penalisht për këtë gjë. Po faktikisht unë nuk e ndjeva të arsyeshme këtë fakt, jo se s'dua të zbatoj ligjin, po mendoj që nuk ka instruktazhin e duhur nga autoritetet përgjegjëse të cilët kanë detyrimin t'i bëjnë instruktazhin këtyre punonjësve.
Mbas ligjit 833/2021-shi për Gardën e Republikës, pyetja i është drejtuar Ministrit të Brendshëm, se ai është autoriteti përkatës për këtë, ndërkohë që edhe mbas ligjit për statusin e deputetit, neni 2, 6 e vijues deri në 11 dhe neni 24 i po këtij ligji, parashikojnë statusin, që është pozicioni juridik dhe marrëdhëniet juridike me organet e qeverisjes vendore dhe ato të administratës shtetërore apo të qeverisjes qendrore të deputetit. Pra, ky nuk është problem personal i imi si individ, por është një ngjarje të cilët ju si ministër i Brendshëm duhet të merrni masa që të mos ndodhi më. Unë juve si ministra ose si deputetë të partisë tjetër, ju konsideroj si kundërshtar ideologjik. Nuk ju kundërshtoj, nuk ju kundërshtoj si armiq juve në jetën e përditshme, as në politikë. Së dyti, nga ana tjetër, zbatimi i ligjit është e para ngritje e nivelit të kulturës së institucioneve, besimit të publikut te institucionet. Nuk ka të bëjë fare me individët. Kjo gjëja, mbas asaj kërkesës që kam bërë unë, ka vazhduar dhe është përshkallëzuar në akte të cilat janë tërësisht të kundraligjshme. Për shembull, keni rastin e zotit Mziu, rastin e zotit Nallbati, hedhjen me spray të, ëh, ndaj, në një afërsi shumë të afërt, të kryetarit të opozitës, deputetit të parlamentit, pavarësisht që ju e anatemonit si figurë politike, po ai ka një status të veçantë edhe duhet mbrojtur.
Është e papranueshme kjo lloj sjellje edhe po jua sjell në vëmendje edhe për, për bashkëpunim juridik, meqënëse jam i fushës. Keni disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut. Është rasti Jan Nekov kundër të tjerëve dhe Rusisë, që është përdorimi i forcës ndaj protestuesve paqësorë. Pastaj është për të drejtën e përgjigjes e ka ai vetë. Keni rastin Ishkanian kundër Armenisë, arrestime masive pa verifikim individual. Pra, në qoftë se Ariani bën veprime të dhunshme, policia ka mënyrën për ta identifikuar se ka gjithë ato mjete, metoda speciale e të tjera e të tjera me radhë. Nuk mund të vijë një punonjës policie as ta godasë deputetin me cilësi të njohura, aq më pak kryetarin e opozitës me cilësi shumë më të njohura publike se ne të tjerët, dhe të vijë afër, në një distancë shumë të afërt, t'i hedhë spray. Këto janë veprime që bien në kundërshtim edhe me ligjin për Policinë e Shtetit, përdorimi i mjeteve në mënyrë joproporcionale dhe përdorimi i forcës jo duke bërë verifikime përkatëse administrative. Të gjitha këto vlejnë vetëm për të saktësuar një gjë. Statusi që i përket me ligj deputetit duhet mbrohet sepse është kulturë e institucioneve, jo për shkak të individit, Arianit," tha Ndoja.
