Sfida e Shqipërisë me “Agjendën e Gjelbër” për integrimin në BE
Mbyllja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fundin e vitit 2027, është synimi ambicioz që Qeveria Shqiptare i ka vënë vetes dhe iu premton qytetarëve të saj.
Për përtej retorikës politike, institucionet duhet të ndërmarrin një sër ndryshimesh ligjore për përafrimin e tyre me direktivat europiane, i njohur ndryshe si “acquis communautaire”.
Një nga kapitujt më vendimtarë për ndezjen e dritës jeshile për këtë rrugëtim është ai i Mjedisit e Klimës, njëkohësisht edhe më sfiduesi për Shqipërinë.
Sipas Progres-Raportit të publikuar në Vitin 2025, në grupkapitullin që mban numrin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme” vendi ynë rezultoi me një performancë jo të kënaqshme.
“Progresi mbetet ende larg standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian, kryesisht për shkak të zbatimit të dobët të legjislacionit dhe kapaciteteve të kufizuara institucionale” – thuhet në raport.
Nga cilësia e ajrit, tek menaxhimi i mbetjeve, transporti, mbrojtja e natyrës e biodiversitetit, apo ndryshimet klimatike, duket se “përmbushja e detyrave” të këtij grupkapitulli mbetet më i vështiri.
Sfidat e agjendës së gjelbër
“Agjenda e Gjelbër” merr një vëmendje të veçantë në procesin e integrimit, si kapitull që prek drejtpërsëdrejti cilësinë e jetës, zhvillimin ekonomik dhe strandartet europiane të shtetit.
Duket se Shqipëria, në reformat mbi këto sektorë, është ende larg standarteve të kërkuara.
Raporti njeh përparim në miratimin e një pjese të konsiderueshme të kuadrit ligjor, por harmonizimi mbetet i pjesshëm dhe shpesh i fragmentuar, ndërsa sfidat kryesore që theksohen në raport janë boshllëqet ligjore, mungesa e zbatimit efektiv në praktikë dhe mospërputhja mes dispozitave ligjore dhe realitetit në terren.
Kjo, si pasojë e kapaciteteve administrative, të cilat kanë mungesë të theksuar të koordinimit të brendshëm, burimeve teknike apo lëvizjeve të shpeshta të stafit të specializuar, duke ndikuar dretpërsëdrejti në zbatimin jo të duhur të ligjeve, apo moskontrrollin e aktiviteteve që ndikojnë në mjedis.
Edhe pse ekziston një bazë ligjore për mbrojtjen e mjedisit, përafrimi me legjislacionin e BE-së mbetet rreth 50%, ndërsa zbatimi praktik është vetëm 17%. Monitorimi i cilësisë së ajrit në Shqipëri është i kufizuar, pasi kryhet vetëm nga 9 stacione në qytetet kryesore, duke mos siguruar të dhëna të plota.
Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem i madh, sidomos në zonat urbane, për shkak të transportit, ndërtimeve të shumta dhe përdorimit të drurit për ngrohje. Studime dhe matje alternative tregojnë nivele të larta të ndotjes nga grimcat e dëmshme (PM2.5, PM10, NO2 dhe CO2), me tejkalime të standardeve të BE-së dhe OBSH-së në disa qytete si Tirana, Durrësi, Fieri, Korça dhe Shkodra.
Gjetjet e fundit tregojnë se në Korçë, për shembull, rreth 50% e ditëve kanë ajër të pashëndetshëm, ndërsa në disa ditë ndotja bëhet e rrezikshme për grupet e ndjeshme. Në përgjithësi, raportet theksojnë nevojën për përmirësim të monitorimit dhe masa më efektive për uljen e ndotjes së ajrit në vend.
“Ekziston një disbalancë e madhe, nga 59 stacione që Institucionet thonë së kanë, vetëm 9 prej gjenerojnë të dhëna, edhe ato për ditë të caktuara. Edhe për ato qytete ku kemi të dhëna ato janë të grupuara vetëm në një periudhë kohe të caktuar, duke vështirësuar bërjen e një analize të mirëfilltë” – tha në diskutim gjatë diskutimit në tryzën e rrumbullakët, të organizuar nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit Coplan Albania, një event i realizuar me ndihmën e Projektit GreenAL, Valbona Mazreku, Drejtoreshë Ekzekutive e Milieukontakt Albania.
Përtej faktit se stacionet e monitorimit konsiderohen të pamjaftueshme, si në numër ashtu edhe në shpërndarje gjeografike, një tjetër problem i evidentuar është se të dhënat e mbledhura nuk përpunohen dhe raportohen gjithmonë sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Një tjetër boshllëk i rëndësishëm është mungesa e integrimit mes të dhënave mjedisore dhe atyre shëndetësore, çka e vështirëson vlerësimin real të ndikimit të ndotjes tek qytetarët.
Ekspertit Imeldi Sokoli, tha se pavarësisht arritjes së vendosjes së urave të komunikimit konstruktiv me institucionet, bashkëpunimi duhet të intensifikohet më shumë, pasi zgjidhja e kësaj problematike nuk varet vetëm nga një sektor i vetëm.
“Vetëm nëpërmjet komunikimit mund të ndryshojmë qasjen. Zgjidhja shkon përtej kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, shkon tek ajo e Transportit që mund të japi zgjidhje, ajo e Shëndetësisë apo edhe ajo e Financave që ka një rol kyç.”
Nga ana tjetër, diskutimi u ndal tek rëndësia e hartimit të planeve për cilësinë e ajrit, ku u evidentua edhe njëherë se Raporti I AKM “Për gjendjen në Mjedis” e vitit 2025, ende nuk është publikuar.
Ndërkohë në progres-raport theksohet fakti që legjislacioni shqiptar ende nuk është i përditësuar me direktivën e BE-së: 2008/50/EC e cila përcakton kufinjtë maksimalë të ndotjes së ajrit, mënyrën e monitorimit të cilësisë së tij dhe planet që duhet të hartohen.
Në Shqipëri kjo direktivë ende nuk është pjesë e ligjit dhe ky i fundit funksionon në bazë të VKM-ve të miratuara që në vitet 2014-2015, për të cilat ekspertët thonë se duhen rishikuar.
Menaxhimi i mbetjeve, mes reformave ligjore dhe dështimit
Kur flasim për sfidat e Njësive Vendore në Shqipëri, menaxhimi i mbetjeve është ndër më të dukshmit. Ndarja apo selektimi i mbetjeve në burim, përmes kazanëve të ndryshëm, thuajse dështoi tërësisht.
Sipas ligjit, bashkitë janë përgjegjëset ligjore për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Ky kuadër ligjor ka pësuar ndryshime për t’u përafruar me standardet e BE-së, ku reforma e fundit përfshinte krijimin e një kompanie publike dhe investime për landfille të reja, por kjo nuk ka siguruar një rezultat të kënaqshëm në progres-raport.
Sipas vlerësimeve në këtë sektor, Shqipëria gëzon një progres shumë të kufizuar. Sfidat serioze lidhen me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme, niveleve të ulëta të riciklimit dhe varësinë e lartë ndaj landfilleve.
Gjithashtu evidentohet mungesa e ndalimit të plastikës njëpërdorimshme, ndërsa AKEM (Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve) konsiderohet me kapacitete të ulëta për të përmbushur rolin e saj.
Për drejtoreshën e Mileukontakt menaxhimi i mbetjeve nga AKEM-i si një shoqëri aksionere nuk lë vend për pritshmëri të mëdha.
A mund ta arrijë dot një SH.A për të drejtuar politikat në nivel bashkie apo nivel rajonal? Mos do përfundojmë si me inceneratorët? – ishin pikëpyetjet e ngritura nga Valbona Mazreku gjatë diskutimit.
Ndërsa një vëmendje të shtuar i jep këtij sektori dhe reforma e re territoriale që pritet të ndërmerret në vend, dhe ndryshimet ligjore të pritshme brenda vitit 2026, duke i shtuar akoma më shumë dritëhijet e tij.
Dështimi në mbrojtjen e zonave natyrore
Rritja e presionit nga ndërtimet në territore sensitive po rikthehet si një nga alarmet më serioze mjedisore në vend. Në këtë kontekst, nisma si “Paketa e Maleve” u vendos në qendër të kritikave, pasi sipas ekspertëve ajo mundëson zhvillime në pyje dhe kullota, duke rrezikuar biodiversitetin dhe duke krijuar përplasje me legjislacionin ekzistues dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
Raste konkrete si ndërtimi i një resorti në zonën e mbrojtur të Bunë-Velipojës, projekti Aeroporti i Vlorës në zonën e Nartës, apo ndërhyrjet e raportuara në Parkun Kombëtar të Vjosës, u sollën si shembuj të një trendi shqetësues që po e sfidon mbrojtjen ligjore. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, këto zhvillime jo vetëm rrezikojnë integritetin e zonave të mbrojtura, por ngrenë pikëpyetje mbi balancën mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së pasurisë natyrore.
Edhe Raporti, e konsideron mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit si një nga fushat më problematike, duke theksuar mungesën e mbrojtjes efektive të zonave natyrore dhe presionin në rritje nga zhvillimi urban, turizmi dhe aktivitetet ekonomike, si dhe nevojën për përafrim me rrjetin Natura 2000.
“Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për zonat e mbrojtura çuan në shpërbërjen e mbrojtjes së tyre. Gjatë periudhës së raportimit, kapaciteti i inspektimit dhe zbatimit u dobësua më tej, veçanërisht në trajtimin e krimeve mjedisore në zonat e mbrojtura.” – shkruhet në raportin e Bashkimit Europian.
Në aspektin e legjislacionit horizontal (EIA/SEA), megjithëse ekziston një kuadër ligjor, zbatimi i procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe atij strategjik mbetet problematik për shkak të cilësisë së ulët të vlerësimeve, transparencës së kufizuar dhe përfshirjes jo të mjaftueshme të publikut në proceset vendimmarrëse.
Raporti rekomandon për masa të menjëhershme për të luftuar krimin mjedisor si dhe përditësimin e zbatimin e Planit Kombëtar të Përshtatjes.
Gjatë diskutimeve, ekspertët dhe përfaqësues të shoqërisë civile evidentuan një sërë problematikash të përsëritura, nga prerjet ilegale të pyjeve dhe gjuetia e paligjshme, te ndërhyrjet e vazhdueshme me hidrocentralet, që po cënojnë drejtpërdrejt ekosistemet natyrore.
Ndërsa si rrezik u diskutuan projekte si ndërtimi i një termocentrali 170 MW në Roskovec që ngre shqetësim mbi drejtimin e politikave energjetike dhe përputhshmërinë me objektivat klimatike.
Kapitulli 15, Energjia, është një sektor tjetër i vlerësuar me progres të pjesshëm. Reformat në tregun e energjisë konsiderohen të ngadalta dhe të pjesshme, ndërsa transparenca mbi çmimet dhe subvencionet mbetet e ulët, me rreth 2.4 miliardë euro të alokuara në periudhën 2018-2023 pa një pasqyrim të plotë publik.
Në diskutime, projektet fotovoltaike, ishin një tjetër subjekt i kritikave dhe dyshimeve.
Qeveria ka miratuar dhjetra parqe fotovoltaike në një periudhë të shkurtër prej 8 vitesh, duke iu vënë në dispozicion edhe tokë publike. Por për shtimin e tyre në masë nuk mjaftuan vetëm parcelat me “tokë të kripura”, pasi ndërtimi po bëhet edhe në toka bujqësore, shpesh duke u kundërshtuar nga banorët e zonave të prekura dhe duke shkaktuar edhe tensione sociale.
Progres-raporti për vitin 2026 pritet të publikohet pas disa muajsh, dhe ekspertët e mjedisit, së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile adresuan disa prej problematikave, ku u theksua se institucionet Shqiptare duhet të kalojnë nga angazhimet në zbatim konkret, nëse synojnë të përmirësojnë progresin dhe të aderojnë në Bashkimin Europian./ Xhesika Tollia, Shteg.org



