FOTOJA KOMPROMENTUESE/ Drejtori i Burgjeve vartës i Veliajt? Ja urimi i tij për kryebashkiakun e arrestuar

Ditën e sotme, në krye të Drejtorisë së Burgjeve u emërua Adriatik Kupi, i cili pasoi Klevis Qosen. Por kush është Adriatik Kupi? Më herët ai ka mbajtur detyrën e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Ndërsa më herët Kupi, ka mbajtur dheë detyrën e aministratorit të Njësisë Administrative Petrelë, në kohën kur Bashkia e Tiranës ishte nën drejtimin e Erion Veliajt si dhe ka marrë pjesë në fushatën e Veliajt.

Pas publikimit të lajmit se Kupi do të ishte drejtor i Burgjeve, deputeti demokrat Belind Këlliçi në një reagim tha se Kupi ishte një ushtar besnik i Veliajt.

Gjë kjo që është shumë kollaj e verifikueshme. Në një kërkim të thjeshtë në profilin e Adriatik Kupit në “Facebook” sheh se pak muaj më parë ka bërë një urim për ditëlindjen e kryebashkiakut Veliaj. Postim në të cilin e cilëson kryebashkiakun e akuzuar për 5 vepra të rënda penale si një njeri të drejtë.

Këtu qëndron dhe paradoksi. U emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve një njeri që ka bërë fushatë për Erion Veliajn, ka marrë post nga Veliaj madje dhe është quajtur nga Kupi si një njeri me vlera dhe dinjitet.

FOTOJA KOMPROMENTUESE/ Drejtori i Burgjeve vartës i Veliajt? Ja urimi i tij
Urimi i Adriatik Kupit për Erion Veliajn, dhjetor 2025

Madje Kupi në urimin për kryetarin e tij, shkruan se drejtësia do të triumfojë. Drejtësi të cilën kryetari i Adriatik Kupit po e shmang prej më shumë se një viti, ku refuzon të shkojë e të përballet në gjyq me akzuat ndaj tij, por vetëm gjen makinacione për shtyrjen e gjyqeve.

Cila drejtësi pret të triumfojë për Erion Veliajn? Ajo të cilën Veliaj dhe njerëzit e tij e sulmojnë nga mëngjesi në darkë me lloj lloj shpifjesh e mashtrimesh e madje arritën deri aty sa të mashtronin dhe senatorët apo kongresmenë me lobimet e paguara nga Veliaj dhe vëllai i tij, për prokurorët e çështjes.

Pra njeriu që do të drejtojë institucionin në të cilin ndodhet i burgosur Veliaj, është një ish-vartës i tij apo ndoshta është ende vartës. Njeriu që dikur është shpërblyer nga kryebashkiaku me poste si dhe ka marrë pjesë në fushtatat e tij zgjedhore sot është vendosur të drejtojë Burgjet ndërsa Erion Veliaj ndodhet në burg me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale.

Një paradoks i madh ky, që ngre shumë pikëpyetje se çfarë mund të ndodhë nën drejtimin e Adriatik Kupit në burgje apo ndoshta dhe mund të ketë favorizime për Erion Veliajn.../CNA