“NAFTA”/ Rama zbulon planin e Qeverisë: Kompani shtetërore dhe teknologji e re kundër abuzimeve me çmimin dhe kontrabandës

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me socialistët në Njësinë 4 të Tiranës, shpalosi një plan, sipas tij, ambicioz, për të ndërhyrë në tregun e karburanteve, duke synuar stabilizimin e çmimeve dhe luftimin e informalitetit përmes krijimit të një kompanie publike dhe implementimit të teknologjive të reja.

Ky plan vjen në një kohë kur çmimi i naftës është rritur ndjeshëm si pasojë e krizave ndërkombëtare, por adreson problematika të vjetra të tregut vendas.

Në qendër të strategjisë është futja në treg e një kompanie shtetërore. Qëllimi i këtij operatori publik është të veprojë si një faktor rregullator dhe garantues, për të siguruar që konsumatorët shqiptarë të mos paguajnë çmime abuzive për karburantet. Kjo lëvizje, e planifikuar përpara krizës aktuale, synon të mbrojë qytetarët dhe të krijojë një rezervë strategjike kombëtare.

Paralelisht, Rama theksoi se po ndërmerren hapa konkretë për të luftuar dy format kryesore të kontrabandës.

“Së pari, do të implementohet një sistem i ri për markimin (ngjyrosjen) e naftës, i cili do të jetë i pamanipulueshëm. Sistemi aktual, i trashëguar nga një koncesion i mëparshëm, konsiderohet i paefektshëm. Ngjyruesi i ri, i zhvilluar në bashkëpunim me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të bëjë të mundur identifikimin e saktë të karburantit të importuar legalisht, duke formalizuar tregun dhe duke nxjerrë jashtë loje sasitë që aktualisht tregtohen "jashtë radarit" të shtetit.

Së dyti, do të adresohet fenomeni i "naftës tranzit". Një sasi e konsiderueshme karburanti që hyn në Shqipëri me destinacion vendet fqinje, shpeshherë shitet ilegalisht brenda vendit. Përmes të njëjtës kompani publike, do të vihet në funksion një produkt i ri teknologjik për të gjurmuar në kohë reale lëvizjen e këtyre mjeteve, duke i dhënë fund kësaj forme evazioni”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se angazhimi i qeverisë për të çuar përpara reforma të thella, duke marrë si shembull kryesor Reformën në Drejtësi. Kjo e fundit u cilësua si një arritje historike dhe një provë e vullnetit për të mbajtur premtimet, pavarësisht vështirësive.

Gjithashtu, ai foli për progres të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku vendi ka shënuar rekord për shpejtësinë e hapjes së kapitujve negociues.

Qeveria shprehet e bindur se masat e reja për tregun e karburanteve do të kenë një impakt pozitiv të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë.