Strategjia e “Tokës së Djegur”, Kikia Në PS, kush shpreh ambicie për karrierë, shkon edhe në burg, në PD i lidhen këmbët dhe duart
Sistemi politik shqiptar vuan nga një sindromë e thellë autokratike, e cila kapërcen ngjyrat partiake dhe rrezikon të shkatërrojë çdo lloj inovacioni të lidershipit për gjeneratat e ardhshme.
Ky ishte thelbi i analizës së gazetarit Mentor Kikia në studion e emisionit “Drejt” në Ora News, ku u mor në shqyrtim struktura piramidale dhe shtypëse brenda Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.
Kikia tha se mjedisi aktual në partitë e mëdha shqiptare është “mbytës” dhe ngjan frikshëm me doktrinat e periudhës komuniste.
Duke iu drejtuar moderatorit Luan Rama, Kikia bëri një krahasim historik brilant: “Dikur në komunizëm, kur vendoseshin fletërrufetë, thuhej se dikush është karrierist dhe kjo konsiderohej një “shfaqje e huaj”. Njeriu nuk mund të kishte ambicie për karrierë; njeriu duhet të rrinte aty dhe ta caktonte partia në detyrë”.
Sipas gazetarit, ky mentalitet vazhdon të ushtrohet përmes formave të ndryshme edhe sot.
Në Partinë Socialiste, theksoi Kikia, çdokush që shfaq hapur ambicie për karrierë jashtë vullnetit të Edi Ramës përballet me shkarkim apo edhe hetime, ndërsa në Partinë Demokratike, individëve ju “lidhen këmbët dhe duart”.
Ky mekanizëm i pamëshirshëm nuk përdoret thjesht për inat personal, por si një strategji e ftohtë politike për t'i mbajtur partitë peng të një njeriu të vetëm.
“Mungesa e hapësirës ka prodhuar një situatë ku në asnjë parti shqiptare nuk gjen dot kush është numri dy. Sepse nuk ka! Sepse strategjia e tyre e ka çuar politikën drejt këtij shtegu: askush nuk duhet të mendojë se këta liderë mund të zëvendësohen”, sqaroi Kikia.
Ai solli si shembull supozimin e largimit të kryeministrit Rama, duke pyetur retorikisht se cili do ta merrte postin, për të theksuar boshllëkun e krijuar nga kjo politikë e 'tokës së djegur', ku thelbi është mbretërimi i përjetshëm në frone të vogla politike.
Mentor Kikia: “Përveç se nuk bëhen zgjedhje, nuk lejohet askush të shfaqë ambicie. Dikur, në komunizëm, se ne të dy e mbajmë mend, kishte një shprehje që ishte shfaqja e huaj kur vendosnin fletë rrufe. Luan Rama... është karrierist. Kjo ishte e dënueshme. Sepse njeriu nuk mund të ketë ambicie për karrierë. Njeriu duhet të rrijë aty dhe e merr partia.
Të caktonte partia në detyrë. Ti vetë nuk duhet të tregoheshe karrierist. Është në forma të ndryshme e njëjta gjë. Në PS, kush shpreh ambicie për karrierë, shkon edhe në burg, apo shkarkohet nga detyra. Në PD i lidhen këmbët dhe duart në këto forma. Dhe mungesa e kësaj hapësire, çfarë ka prodhuar? Ka prodhuar që në asnjë parti shqiptare nuk gjen dot kush është numri dy. Se s’ka.
Dhe nëse dikush të thotë sot, ore nuk do votojmë Berishën në PD. Po kë do votojmë o vëlla? Po s'ka më njeri tjetër. Sepse strategjia e tyre ka bërë që askush të mos mendojë që këta mund të zëvendësohen. Nëse PS-ja sot do dorëzojë qeverinë, por jo pushtetin si parti politike dhe të themi, po more, bëj një qeveri tjetër pa kryeministrin Ramën. Pyetja që bëhet, po kush do jetë mo?
Kush mund ta bëjë përveç Ramës këtë punë? Nuk ka tjetër. Kjo është krijimi i tokës së djegur, është strategji për të mbretëruar në këtë fronin e vet. Kaq u intereson atyre. Në këtë fshatin e vogël mjafton të jenë këta mbretër.
Në këto ujëra tani, po përpiqet të futet të notojë Salianji. Dhe, gjëja tjetër që demotivon të tjerët... lideri në politikë nuk prodhohet në laborator, as blihet, as importohet. Lideri rritet politikisht. Kur rritet? Në betejë. Garon, bie, humb, ngrihet, vazhdon prapë dhe qëllimi i mungesës së garës në partitë shqiptare është të mos lejojnë liderin të rritet.
Nëse sot thonë PD-të, veç t'i pyesësh, Salianji, a mo tashi, Saliani tashi, me Salianin vërtet e keni ju? Saliani do bëhet kryetar i PD-së? Po ç'ka, çfarë ka bërë Saliani? Ç'ja ka treguar?
Thjesht doli me hu në dorë atje kur u bë ajo lufta. Saliani nuk është provuar. Por si Saliani nuk është, nuk janë provuar dhe të tjerë. Në qoftë se ti do bësh betejë... Ky pra është qëllimi”.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”


