Gjiknuri e Bylykbashi takim me delegacionin e ODIHR: Pr.ligji për financimin e partive prezantohet javën e ardhshme
Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi pritën në një takim delegacionin e ODIHR-it, të përbërë nga Kakha Inaishvili, Raul Mureșan dhe Nataliya Vasylevska.
Ata informuan për ecurinë e deritanishme të punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ndërsa njoftuan se javën e ardhshme do të prezantohet nga ekspertët, para anëtarëve të komisionit, projektligji i ri për financimin e partive politike.
Gjiknuri u shpreh se me miratimin e këtij projektligji, që ishte edhe prioriteti i parë, Komisioni nis punën për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it sa i takon Kodit Zgjedhor.
“Misioni i ODIHR-it është i angazhuar të bashkëpunojë ngushtësisht me ekspertët e komisionit për gjetjen e zgjidhjeve teknike që adresojnë rekomandimet në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare për zgjedhjet”, u shpreh Gjiknuri.
