Avokati "99-ç" i Veliajt kapet sërish me gënjeshtër: Erioni nuk ka refuzuar të pranojë aktet

Plarent Ndreca, ish-deputeti socialist, e që prej së martës edhe avokat i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, ka vijuar edhe sot me deklaratat e tij që janë në vijë paralele me të gjitha qëndrimet mashtruese për çështjen.

“Në çdo rast, ne nuk na e ka dhënë njeri akoma. Unë kam qenë edhe vetë prezent, kam kërkuar nga drejtuesit e institucionit të paraburgimit vënien në dispozicion nëpërmjet një procesverbali apo inventari, por nuk kanë pranuar të na i japin me inventar dhe me procesverbal. Thjesht më pranonin faktin që mund t'i dorëzonin fizikisht. Nuk është e vërtetë që klienti im ka refuzuar t’i marrë aktet”,-deklaroi Ndreca për A2 CNN.

Ndërkohë e vërteta qëndron krejt ndryshe nga artikulimi i të pandehurit Plarent Ndreca, avokat i kreut të 99-çave mbetur në qarkullim..

Nga detajet e procesverbalit të dorëzimit të akteve të zbardhur këtë të martë, që janë lexuar nga prokurorët e SPAK-ut, Altin Dumani dhe Ols Dado, gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, në momentin që kanë shkuar oficerët e BKH-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për t'i dorëzuar Erion Veliajt aktet në burg, zyrtarët janë ndeshur me një një situatë problematike dhe këtë e tregojnë dokumentet zyrtare, jo fjalët e Ndrecës.

Erion Veliaj ka kundërshtuar dhe kërcënuar oficerin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Samet Gurguri, duke iu drejtuar me fjalë fyese, joetike dhe ka refuzuar të marrë aktet.

Avokati "99-ç" i Veliajt kapet sërish me

“Procesverbali e thotë qartë. Në zbatim të urdhrit kanë shkuar në IEVP Durrës dhe kanë kontaktuar me Erion Veliaj. Që në fillim, Erion Veliaj ka shfaqur sjellje kundërshtuese, edhe fyese ndaj hetuesve të BKH. Ka qenë reagim jo etik dhe fyes, duke refuzuar të marrë aktet. Në këto kushte është larguar dhe ka vënë në dijeni të gjithë zinxhirin në burg, që nga juristët e deri tek drejtuesit. Ata të gjithë së bashku kanë shkuar t’i sqarojnë Erion Veliajt arsyen. Është kundërshtuar dhe Veliaj i është drejtuar me fjalët  “Gruaja ime abortoi dy herë. Më keni shkatërruar. Ols Dado ka 30 apartamente. Ky pis, abortin e dy fëmijëve të mi s’kam për ta falur.” Më pas, në një dhomë janë vendosur nga Samet Gurguri dhe juristët e IEVP dokumentet dhe aktet në paraburgim”,-theksoi prokurori Dado.

Reagimi vjen kryesisht ndaj prokurorit Dado, pasi Dumanit nuk guxon t’i përmendë emrin.

Ndërkohë gjatë seancës së dytë në themel në GJKKO, prokurori Altin Dumani "i tregoi vendin" Ndrecës, duke i thënë se SPAK flet me akte e jo me hamendje dhe se procesverbali e tregon të vërtetën.

Ndreca nuk është një emër i përfshirë rishtazi në çështjen “Veliaj”. Siç u publikua nga mediat dy muaj më parë, nga burime të afërta të stafit të Veliajt, Ndreca ishte juristi që përgatiti padinë ndaj prokurorit Ols Dado për llogari të kreut të 99-çave të mbetur./CNA