Largimi i shqiptarëve/ Këlliçi ngre alarmin: Shkojnë në vendet fqinje për të blerë më lirë naftën
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një nivel të ri të krizës ekonomike në Shqipëri, ku sipas tij, largimi nga vendi nuk është më vetëm përfundimtar, por është kthyer në një praktikë të përditshme.
Këlliçi deklaron se rreth 40 mijë qytetarë në vit largohen nga Shqipëria për të nisur një jetë jashtë, ndërsa paralelisht është shfaqur një tjetër fenomen: qytetarët që kalojnë çdo ditë kufirin për të blerë karburant dhe produkte ushqimore më të lira në vendet fqinje.
Sipas tij, çmimet e naftës në vendet fqinje janë 40–50% më të ulëta, ndërsa ushqimet kushtojnë ndjeshëm më pak. Në të kundërt, në Shqipëri çmimet e produkteve bazë janë në nivelin e mesatares së Bashkimit Evropian, pavarësisht të ardhurave më të ulëta.
Deputeti e cilëson këtë situatë si pasojë të një modeli ekonomik që, sipas tij, favorizon monopole dhe oligopole, duke deformuar tregun dhe rritur kostot për qytetarët. Ai shton se kjo gjendje ka detyruar shqiptarët të kërkojnë zgjidhje jashtë kufijve, edhe për nevojat më bazike të përditshme.
Në këtë kuadër, Këlliçi bën të ditur se ka nisur dy kërkesa për informacion drejtuar institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Energjetikës dhe Drejtorinë e Doganave, për të marrë të dhëna mbi importet, çmimet dhe sasinë e karburanteve të zhdoganuara.
Ai thekson se transparenca është thelbësore për të kuptuar mekanizmat që, sipas tij, kanë çuar në këtë situatë, ndërsa i bën thirrje qytetarëve për reagim dhe ndryshim.
“Deri dje ikja nga Shqipëria ishte një akt përfundimtar, por sot, në 2026-ën është bërë sjellje e përditshme.
Rreth 40 mijë qytetarë në vit e mbyllin jetën këtu dhe e nisin diku tjetër, larg.
Por përtej këtij eksodi të heshtur, ka nisur një tjetër, shumë më afër, me radha në kufi për të blerë naftë dhe ushqime më të lira. Për të mbijetuar.
Nga ikja përjetë, tek ikja përditë është niveli i ri i krizës për Shqipërinë. Ekskluzivisht për të dhe asnjë vend tjetër ballkanik, nga ku asnjë qytetar nuk kalon ne drejtim të kundërt për të gjetur ndonje produkt më të lirë.
Skenar filmi në kufijtë e të pabesueshmes kjo ekonomi që i detyron qytetarët e saj të kalojnë kufirin për të blerë gjërat bazike të jetës.
Bilanci ditor:
Tek fqinjët, nafta shitet 40–50% më lirë. Ushqimet ndjeshëm më të ulta në çmime.
Në Shqipëri, çmimet e mallrave dhe produkteve bazike janë sa mesatarja e BE-së. Ndërsa tek fqinjët deri në 40 përqind më lirë se sa mesatarja e BE.
Çfarë emri mund t’i vihet fenomenit që detyron një shoqëri të kalojë çdo ditë kufirin për të mbijetuar? As nga lufta, as nga ndonjë vullkan a apokalips.
Se nuk mund ta quash as emigracion këtë largim ditor kolektiv që nuk ka lidhje as me krizën globale e as me ndonjë trend rajonal. Aq më pak me ndonjë mallkim biblik a “kulturë shoqërore” siç mund ta pagëzonte lehtësisht zonja Kos.
Këtë syrgjynosje të përditshme e kemi “dhuratë” nga modeli ynë qeverisës, që rrit çmimet pa rritur të ardhurat, që “liçenson” deformimin e tregut me monopole dhe oligopole, që mendon se propaganda është “ushqim” më i dobishëm, që shtyn perceptimin, por shkatërron standardin e jetës.
Këtu na ka katandisur ky narkoshtet i kalbur ne korrupsion e krim, që nuk siguron dot jetesën minimale brenda territorit të vet, duke dorëzuar ende pa e shpallur sovranitetin ekonomik.
Sado kriminal, ky nuk është fatalitet pa zgjidhje dhe e kemi në dorë ta ndalim këtë përçudnim që nuk u lejon më shqiptarëve të jetojnë brenda vendit pa dalë çdo ditë jashtë për të mbijetuar. Si qytetarë e opozitarë mund t’ja dalim, duke bërë tonën.
Qysh dje kam nisur dy kërkesa për informacion në Ministrinë e Energjetikës dhe Drejtorinë e Doganave për të marrë të dhënat jo vetëm për sasitë e zhdoganuara dhe çmimin, por edhe për importet.
Për të kuptuar se si lidhet ky abuzim me tregjet monopol dhe oligopol. Shqiptarët duhet ta dinë se si po u merret jeta peng.
Vërtetë deri më sot kanë gjetur mënyrën për të mbijetuar. Por nëse ikja është bërë zakon, ndryshimi duhet të bëhet vendim. Shqipëria është e bekuar nga natyra, meritojmë ta jetojmë në begatinë e saj”, shkruan Këlliçi.

