Kriza e fasonerive në Shqipëri/ Tabaku paralajmëron humbjen e kontratave dhe mijëra vende pune
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë vizitave në Tiranë dhe Shkodër foli për krizën që po kalon sektori fason, një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin dhe eksportet në Shqipëri.
Sipas saj, rënia e euros ka rritur kostot e prodhimit me rreth 30%, duke dëmtuar konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare dhe duke bërë që shumë të humbasin kontrata ndërkombëtare, sidomos në tregun italian.
Tabaku përmendi një kompani fason që më parë kishte disa kontrata eksporti, ndërsa tani operon vetëm me një të vetme.
Bizneset përballen me taksa të larta, kostot e pagave minimale dhe procedura doganore të komplikuara, që krijojnë një disavantazh krahasuar me vendet e rajonit.
Sektori fason ndodhet në mbijetesë dhe mungesa e politikave mbështetëse rrezikon jo vetëm bizneset, por edhe punësimin e qindra njerëzve, veçanërisht grave.
Tabaku tha se duhen politika konkrete për produktet “Made in Albania” dhe investime në teknologji dhe modernizim, si një mundësi për të kthyer sektorin në motor të qëndrueshëm zhvillimi dhe eksporti.

