Gjunkshi: Drejtori i komanduar në Dibër ka ngritur skemë presioni dhe gjobëvënie ndaj bizneseve
Këshilltari për Sigurinë në PD, Xhemal Gjunkshi ka denoncuar sot drejtorin e komanduar të policisë në Dibër, Armir Gjikolaj.
Në një deklaratë për mediat, Gjunkshi shprehet se, ‘drejtori Gjikolaj është përfshirë bashkë me punonjës të policisë në një skemë e mirëfilltë presioni dhe gjobëvënieje ndaj bizneseve të vogla dhe drejtuesve të mjeteve’.
Deklarata e Xhemal Gjunkshit:
‘Drejtori në provë’ i Policisë së Dibrës, terror antiligjor qytetarëve. Po përgatitet dosja me shkeljet
Dibranët po përballen prej muajsh me terrorin policor të importuar në këtë qark nga një drejtues i Policisë së Shtetit, i cili në vend që të garantojë zbatimin e ligjit dhe barazinë para tij, u bën presion qytetarëve.
Bëhet fjalë për drejtorin e komanduar Policisë në Peshkopi, Armir Gjikolaj.
Sipas dhjetëra denoncimeve që kanë mbërritur në adresën time dhe të Partisë Demokratike në Peshkopi, përfshirë edhe nga vetë punonjës të policisë, është ngritur një skemë e mirëfilltë presioni dhe gjobëvënieje ndaj bizneseve të vogla dhe drejtuesve të mjeteve. Punonjësit e policisë detyrohen të vendosin gjoba të shumta, shpeshherë të fryra dhe në kundërshtim me ligjin, me qëllim përmbushjen e kuotave të vendosura nga ‘komandanti i komanduar’, Gjikolaj.
Ky nuk është më zbatim ligji, por terror administrativ.
Policia nuk mund dhe nuk duhet të funksionojë si një makineri gjobash, ku efektivët detyrohen të ‘prodhojnë’ shkelje për të kënaqur shefin. Një praktikë e tillë minon besimin e qytetarëve dhe e kthen shtetin në një instrument zhvatjeje.
‘Drejtori në provë’ gjithashtu targeton bizneset dhe automjetet e qytetarëve që njihen si të lidhur me opozitën duke u vetëdemaskuar si ‘polic politik’, jo i Shtetit.
Sjellja e tij me bizneset është edhe më antiligjore. Në vend që kontrollet të kryhen nga institucionet përkatëse, si administrata tatimore, raportimet tregojnë se persona të lidhur me drejtuesin e policisë ushtrojnë presion dhe vendosin gjoba arbitrare, duke i detyruar subjektet të paguajnë ryshfet për të shmangur penalitetet.
Ky është model klasik i përdorimit të strukturave shtetërore.
U bëj thirrje qytetarëve të Dibrës që çdo rast ta dokumentojnë dhe ta paraqesin sa më pare, në mënyrë që një dosje e plotë me shkeljet e Gjikolajt të bëhet publike dhe të dërgohet në Prokurori.
Qytetarët e Dibrës nuk mund të trajtohen si burim gjobash dhe ryshfetesh. Ata meritojnë siguri, ligj dhe respekt, jo presion dhe abuzim.

