Lëvizja e Salianjit/ Si bëhet karrierë në PD? Xhafo: Ose me Berishën, ose në pension politik

Ndërsa debati mbi krizën në Partinë Demokratike të Shqipërisë vazhdon të mbajë të mbërthyer vëmendjen e opinionit publik, një këndvështrim thellësisht analitik e historik ka ardhur nga gazetari Endri Xhafo.

I ftuar në emisionin “Drejt” në “Ora News”, Xhafo argumentoi se kërkesat e deputetit Ervin Salianji për demokraci të brendshme, ndonëse legjitime, përplasen me një realitet të hidhur: Partia Demokratike nuk ka funksionuar kurrë si një organizatë realisht demokratike që nga themelimi i saj.

Duke iu drejtuar Salianjit dhe publikut, Xhafo shprehu një lloj keqardhjeje për situatën, por e quajti 'të trishtë' që opozita denoncon qeverinë për uzurpim të pushtetit kur zbaton ekzaktësisht të njëjtat praktika autokratike brenda radhëve të saj. “Kur e ka pasur Partia Demokratike mentalitetin ndryshe nga ç'është sot? Partia Demokratike nuk ka qenë kurrë një parti realisht demokratike”, deklaroi Xhafo me bindje.

Endri Xhafo: “Kur ka qenë Partia Demokratike ndryshe nga ç’është sot? Salianji është pak më i ri se sa ne, por Partia Demokratike nuk ka qenë kurrë një parti realisht demokratike. Në retrospektivë historike, kush i ka dalë përballë Sali Berishës? Në '92-shin, në kulmin e vet, i ndjeri Gramoz Pashko, Ceka e të tjerë, grupi i mocionistëve. Më vonë Eduard Selami. Deri diku më vonë, jo për t'i marrë partinë se sa për mosmarrëveshje që kishte, i ndjeri Azem Hajdari. Mbas '97-ës, Ben Meçe. Mbledhjet te “Lulishtja 1 Maji”, me ata që donin. Më vonë Genc Pollo, Eno Bozdo, e të tjerë.

Dhe çfarë ka ndodhur? Të gjithë, ose kanë dalë në pension politik, ose kanë bërë karrierë politike mbasi janë rikthyer me Sali Berishën. Përveç Agron Shehajt, që është relativisht i ri dhe nuk është pjesë e historisë së Partisë Demokratike.

Po them që ajo që ai thotë, nuk ka qenë ndryshe ndonjëherë. Dhe karriera në Partinë Demokratike është bërë ose duke i dalë përballë Sali Berishës dhe në një moment duke u rikthyer tek ai, siç e bëri me Genc Pollon, e bëri zëvendëskryeministër, me Arben Imamin, e bëri ministër të Mbrojtjes, e të tjerë, ose, po të shkojmë tek njerëzit më të rinj në Partinë Demokratike, me Gazment Bardhin. Apo jo? Ervin Salianji dhe Gazment Bardhi kanë dy momente që i kanë dalë kundër Sali Berishës.

Salianji vetë në rastin e ngjarjes së luftës që u zhvillua tek Partia Demokratike, ka atë foton me videon me dru, që ndoshta dhe unë dhe ti po të kishim do ta kishim bërë sepse...

Kurse Gazment Bardhi e ka thënë dhe vazhdon qarkullon si video në TikTok, në Instagram, e Rillsa se “Nëse Sali Berisha merr partinë, unë jap dorëheqjen”. Tani, po i them Salianjit dy gjëra që i kam menduar në momentin kur ai filloi lëvizjen e vet. Shumë sinqerisht kam menduar, me ndoshta një lloj naiviteti, se nuk kam qenë i brendshëm, duke pasur parasysh që kishte në krah edhe Ilir Ali Mehmetin, që e gjitha kjo mund të ishte një lloj loje me doktorin, në thonjëza lojë, që këta të pakënaqurit, ndaj atij zotërie që ti nuk e përmende emrin por që të gjithë e dinë që e ke me Flamur Nokën, të mund të t'i kanalizonit në një lloj lëvizje brenda partisë që kishte sens brenda asaj që doktori kishte thënë kur e mori, pra lejimi i fraksioneve e të tjera e të tjera. Ditën kur ti bëre takimin në Gjirokastër, që në mos gaboj përkonte fiks me festën e partisë, dhe kur në vazhdim Ilir Alimehmeti, i cili unë e di nga informacionet që kam, që ai nuk largohet nga doktori, atëherë thashë, ore prit. Ervini ose është prishur me doktorin rrugës, ose e gjithë kjo lëvizje ka qenë gjenuine që në lindje të saj dhe zotëria, ngaqë nuk ka se ku të shprehet, është në të drejtën e vet të dojë të krijojë një figurë politike dhe ka zgjedhur këtë mënyrë. Sot jemi në këtë gjë, por ajo që ai thotë, nuk është se ka qenë ndonjëherë ndryshe brenda Partisë Demokratike”.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”