Basha takon ambasadorin e OSBE-së Robert Wilton

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi kreun në detyrë të Prezencës së OSBE-së, z. Robert Wilton, ku ky i fundit uroi z. Basha zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike.Gjatë takimit ata diskutuan për zgjedhjet e 23 qershorit dhe arritjet në atë proces që i dedikohet angazhimit me vullnet të mirë politik të qeverisë dhe të mazhorancës së udhëhequr nga Partia Demokratike.Në takim u nënvizuan problematikat serioze që tashmë janë konstatuar në institucione dhe në publik për këtë proces.Në mënyrë të veçantë biseda u ndal tek vjedhja flagrante e votave në qarkun e Lezhës dhe tentativa për marrjen e mandatit të Partisë Demokratike, problemet e konstatuara në qarkun e Shkodrës, etj.Z. Basha theksoi se problemet e evidentuara janë pasojë e një vullneti të munguar të PS-së për t’u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe se transparenca e plotë dhe vënia para përgjegjësisë e personave përgjegjës është mënyra e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur këto probleme për të ardhmen.Nderkaq Wilton theksoi mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për të gjithë pjesëtarët e institucioneve demokratike të vendit, si dhe angazhimin e Prezencës për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët politikë. Ai përmendi në mënyrë të veçantë projektin në mbështetje të Kuvendit të Shqipërisë zbatuar nga Prezenca.Pas mbylljes së takimit, Z. Wilton u shpreh: “Me shpalljen e projektit të Këshillit të ri të Ministrave dhe me përfundimin e periudhës së ankimeve pranë Kolegjit Zgjedhor, vendi po hyn në një fazë të re të këtij procesi demokratik.”Ai tha se ndihej i inkurajuar nga “programi ambicioz dhe pozitiv” i paraqitur nga Qeveria e re.“Nga ana tjetër, angazhimi aktiv i Opozitës është një përbërës thelbësor i çdo demokracie funksionale dhe ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i shprehur nga Kryetari Basha për pjesëmarrje dhe promovim të institucioneve demokratike të vendit, si dhe ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë,” theksoi Wilton.