Në alarm për sigurinë, Hoxha: Përveç GJKKO-së, gjykatat e tjera janë si stalla lopësh. Na vjen turp nga kolegët

Nënkryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha ngriti shqetësime mbi mungesën e sigurisë dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet e institucionit, duke theksuar se kërkesat për ndërhyrje kanë mbetur pa përgjigje.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha bëri të ditur se gjykata prej vitesh përballet me mungesë të theksuar pajisjesh dhe fondesh, duke nisur nga pajisjet bazë të sigurisë deri te infrastruktura e brendshme.

Sipas tij, një skaner sigurie nuk funksionon prej disa vitesh, ndërsa kërkesat për pajisje shtesë janë plotësuar vetëm pjesërisht.

Ai theksoi se për vitin aktual, nga fondet e kërkuara për pajisje, është miratuar vetëm 7–10% e nevojës reale, ndërsa pjesa dërrmuese e buxhetit është dedikuar vetëm për pagat, sigurimet shoqërore dhe blerjen e një skaneri.

Lidhur me këto shqetësime avokati Arbër Hoxha në një intervistë për “Ora News” u shpreh se sistemi ka nevojë për investime dhe angazhim maksimal për të zgjidhur këto probleme të thjeshta.

“Nëse i referohemi Gjykatës së Tiranës të Shkallës së Parë, skaneri jo më larg se dje nuk funksiononte dhe kontrolli bëhej manualisht, për aq kohë sa mund të bëhet manuale.

Patjetër që jeta e prokurorëve dhe gjyqtarëve është e rëndësishme, por besoj se problemi në sistemin e drejtësisë është endemik dhe nuk mund të rregullohet me 10 apo më shumë policë në godina, siç kërkon z. Hoxha, me të drejtë.

Besoj se sistemi i drejtësisë kërkon një investim total, një platformë të caktuar dhe mbi të gjitha një qasje evropiane të tij.

Këtë e them se vetë hartuesit e sistemit të ri të drejtësisë nuk kanë një platformë se ku duan ta çojnë këtë sistem.

Përkatësisht Gjykata e Tiranës Dhoma Penale ushtrohet në ish-repartin e Drejtorisë së Burgjeve, e cila ka qenë një fjetore e personelit që shërbente tek Burgu 313 dhe kjo u hoq dhe ato dhoma fjetjesh u sistemuan dhe u bënë dhoma gjyqtarësh.

Dhe kjo është e turpshme, se sa herë vijnë kolegët nga vendet e huaja, ku përveç GJKKO-së, e cila është një model, gjykatat e tjera janë si stalla lopësh dhe na vjen turp nga kolegët e huaj.

Edhe i ndjeri gjyqtari Astrit Kalaja nuk u vra në sallën e gjyqit nga krimi i organizuar, por pikërisht nga mungesa e një sistemi sigurie në godinat e gjykatave, dhe nga një person që sorollatej nga drejtësia për dekada me radhë.

Dhe pas kësaj ngjarjeje pati një përmirësim të dukshëm”, u shpreh ndër të tjera Arbër Hoxha.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AVOKATIN ARBËR HOXHA