“Pse të dënojmë pafund?”/ Avokati revoltohet: Nëse nuk kemi reduktim të veprave penale, atëherë cili është efekti i amnistisë?

Avokati Evarist Beqiri i ftuar në emisionin "Drejt" ka folur lidhur me problematikën që përcjellë amnistia, kur qartazi në shoqëri nuk evidentohet ulje e veprave penale. 

Sipas Beqirit, problemi nuk lidhet vetëm me qeverinë, por me të gjithë sistemin e drejtësisë, i cili, sipas tij, nuk ka arritur të krijojë politika efektive për trajtimin dhe integrimin e të burgosurve.

“Këtu jemi në një dështim të institucioneve shtetërore. Nuk kemi arritur të menaxhojmë siç duhet trajtimin e të burgosurve dhe politikat e duhura të dënimit”, u shpreh ai.

Avokati nënvizoi se dënimi penal duhet të shihet në dy aspekte, duke ngritur pyetjen nëse shoqëria përfiton realisht nga dënimet e gjata dhe të përsëritura, në një kohë kur veprat penale vazhdojnë të përsëriten.

“Pse ne do të dënojmë pafund, kur shoqëria i përsërit sërish veprat penale? Nuk kemi reduktim të kriminalitetit, atëherë cili është efekti real i këtyre vendimmarrjeve?”, shtoi Beqiri.

Fjala e avokatit Evarist Beqiri:

“Këtu jemi në një dështim të institucioneve shtetërore. Pra, në qoftë se nuk arrijmë të menaxhojmë, të kemi politikat e duhura po flas këtu jo vetëm të qeverisë por edhe të gjithë sistemit të drejtësisë. Pra kemi një dështim, në mënyrën se si trajtohen të burgosurit.

Pra sa progres kemi bërë ne. Ku jemi me trajtimin dhe me integrimin. Ka dy aspekte e dënimit.

Pse ne do dënojmë pafund?

Ndërkohë shoqëria i përsërit sërish veprat penale, pra nuk kemi një reduktim.

Cili është efekti?

Nëse këto i bëjmë për efekte të caktuara, që lidhen dhe me situatat politike atëhere çfarë përfiton shoqëria në këtë mes?

Analiza duhet të jetë më e gjerë. Transparenca duhet të jetë më e madhe në këto lloj vendimmarrjesh.”