Berisha: Opozita votoi marrëveshjen me SHBA, jo përfaqësimin e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka votuar në parim marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Bordin e Paqes, por nuk ka votuar emrin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një interviste në emisionin Opinion, Berisha sqaroi se qëndrimi i opozitës ka qenë në përputhje me interesin e Shqipërisë dhe me praktikën e ndjekur ndër vite në raport me nismat e SHBA-së në fushën e sigurisë.

Sipas tij, dokumenti është votuar vetëm në parim, ndërsa gjatë votimit nen për nen, opozita nuk ka mbështetur përfshirjen e emrit të kryeministrit.

Berisha theksoi se Partia Demokratike ka qenë pro marrëveshjes si nismë ndërkombëtare, por kundër, sipas tij, personalizimit të saj.

U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, ka qenë porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie.

Ne votuam marrëveshjen në parim.

Por kur u bë votimi nen për nen, ne nuk e votuam Edi Ramën.

Ne dokumentin e votuam në parim, jo nen për nen. I thamë Edi Ramës, ti nxin, ti turpëron. Ishte ulur pranë Lubisë (referuar ministres Belinda Balluku), i thamë që ajo do të të marrë me vete ty.

Qëndrimi ynë ishte pro Shqipërisë, paçka se Rama dhe Lukashenko e personalizuan ftesën. Ftesa u dërgohet vendeve’, tha Berisha gjatë intervistës në ‘Opinion’.