Rama njofton në Kuvend: Të hënën e ardhshme do i drejtohem parlamentit izraelit me një fjalim
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme do t’i drejtohet Knessetit, parlamentit të Izraelit, në një seancë të posaçme dhe në një format të rrallë, i rezervuar për një numër shumë të kufizuar udhëheqësish botërorë.
Gjatë deklaratës së tij, Rama theksoi se do të flasë në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë dhe se kjo ftesë përbën një nder të veçantë për vendin.
“Të hënën e ardhshme do kemi një tjetër nder të jashtëzakonshëm. Do i drejtohem parlamentit të Izraelit me të njëjtin format si Trump, si edhe një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj. Por duke qenë se në këtë rast lista është e shkurtër dhe kundërshtarët e Bordit sapo e përfunduan numërimin, duke u thënë shqiptarëve se prania në Bord, është dicka mekanike, nënvizoj se për Shqipërinë për mua, konsiderohet ftesë cdo ftesë që nuk i bëhet të gjitha shteteve të botës.
Jemi një vend i vogël që e vetë zhduk për 50 vite, dhe kur hapi dyert u keqpërdor e keqqeveris, një vend që askush përvec meje dhe një grushti njerëzish që besuan kur PS thoshte ky është i cmendur mos i shkoni nga pas, nuk e ka menduar dot se do të ngjitej këtu ku është sot. Doni apo s doni ju, dhe ju na duheni këtu, se jeni këtu për ti kujtuar shqiptarëve ishullin e turpit. Dhe atyre që na besojnë, por edhe që hezitojnë të na besojnë I them kini besim, se do të ngjitemi aty ku jemi nisur. Dhe mos e harroni kurrë, sa më shumë lehin qentë aq më para ka shkuar karvani dhe aq më e madhe është bërë distanca mes karvanit dhe qenve”, u shpreh Rama.
