Prendi: Projektligji për shërbimin e jashtëm, rregullim më i qartë i emërimeve në misionet diplomatike
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Prendi, bëri të ditur se në fokus të këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë dhe funksionimit të Shërbimit të Jashtëm përmes një strukture funksionale, e cila garanton një shërbim dinjitoz dhe të qëndrueshëm.
Sipas Prendit, projektligji përbën një instrument ligjor të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ajo theksoi se projektligji nuk ndryshon thelbin e përgjegjësive dhe detyrave bazë të Shërbimit të Jashtëm, që lidhen me hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, si dhe me mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të shtetasve shqiptarë kudo në botë.
Në krahasim me ligjin në fuqi, projektligji sjell disa risi dhe efekte pozitive që synojnë konsolidimin e mëtejshëm të shërbimit diplomatik, të mbështetur në karrierën diplomatike. Konkretisht, ai rregullon më mirë fushën e kompetencave të Shërbimit të Jashtëm dhe raportet me institucionet kushtetuese, qendrore dhe vendore në marrëdhëniet me jashtë, si dhe zgjeron bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare.
Projektligji parashikon gjithashtu rregullim më të qartë të procesit të emërimit dhe përfundimit të mandatit të krerëve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, si dhe forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, bazuar në nivelet akademike.
Një risi e rëndësishme është përfshirja për herë të parë në kuadrin ligjor e Akademisë Diplomatike, si institucion në varësi, e cila do të shërbejë për rritjen profesionale të diplomatëve dhe do të ofrojë kurse e trajnime në bashkëpunim me struktura homologe ndërkombëtare. Po ashtu, projekti përcakton më qartë përfshirjen e personave jashtë karrierës diplomatike në misione diplomatike dhe poste konsullore, si dhe prezanton konceptin e të dërguarit të posaçëm për misione apo çështje specifike diplomatike.
Në aspektin financiar, Prendi sqaroi se projektligji parashikon edhe përfshirjen ekonomike të familjarëve të diplomatëve, si një element i rëndësishëm për garantimin e kushteve dinjitoze të shërbimit jashtë vendit, përfshirë mbulimin e kostos së jetesës.
“Efekti financiar shtesë i projektligjit vlerësohet në 51 milionë e 500 mijë lekë, që përfaqëson rreth 1,3 për qind të buxhetit vjetor të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nga kjo shumë, rreth 24 milionë e 500 mijë lekë parashikohen për ngritjen e Akademisë Diplomatike, 9 milionë e 300 mijë lekë për mbështetjen e fëmijëve të diplomatëve në grupmoshën 18–23 vjeç, si dhe rreth 17 milionë e 700 mijë lekë për mbulimin e kostove të shkollimit të tyre”, deklaroi ajo.

