BORDI “I TRUMP” SJELL PAQEN NË TIRANË/ PD-ja bashkon votat me PS-në, Kuvendi miraton aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes!
Kuvendi ka miratuar sot projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me 110 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim. Edhe opozita ka bashkuar kësaj radhe votat me mazhorancën. Në proçesin e votimit nuk mori pjesë deputeti Redi Muçi.
Dy kanë qenë pikat që kanë ndezur debatin mes palëve, emri i kryeministrit Edi Rama në titull të marrëveshjes si përfaqësues nominal i shtetit në Bordin e Paqes dhe kalimi për votim me procedurë të përshpejtuar. Opozita kërkon që emri i Ramës të hiqet dhe të zëvendësohet me atë të presidentit Bajram Begaj.
Lidhur me kundërshtitë, opozita hartoi dhe amendamente, që u hodhën poshtë në Komisionin e Jashtëm me 3 vota pro dhe 8 kundër.
Kryeministri Edi Rama në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, përmendi të gjitha akuzat që i kishte drejtuar opozita që pas publikimit të ftesës që Trump i ka bërë si përfaqësues i shtetit shqiptar.
Pas përfundimit të fjalimit, kryeministri Edi Rama dhe disa ministria, përfshirë këtu dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku u larguan nga seanca.

Një ditë më parë qeveria miratoi marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Në këtë fazë nuk do të ketë detyrime financiare.
Të vetmet kosto, siç parashikon Karta e Bordit, do të jenë kontribute vullnetare për organizatën të cilat do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.
Shqipëria, si shtet anëtar, do të përfaqësohet në këtë organizatë nga kryeministri Edi Rama, siç përcaktohet që në titullin e projektligjit, ndërsa mandati, siç parashikon karta do të zgjasë fillimisht tre vjet me mundësi rinovimi nga Kryetari Trump.
Mandat të kufizuar nuk do të kenë vetëm ato shtete që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të pare, e që falë pagesës do të kenë statusin e anëtarit të përhershëm.

