VIDEO/ Ndryshimet ligjore vendosin detyrim për transparencën e kontratave të lobimit
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, tha se projektligji synon krijimin e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, me qëllim garantimin e transparencës, integritetit dhe mbikëqyrjes së ndikimit në vendimmarrjen publike.
Sipas saj, projektligji është i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe përbën pjesë të paketës ligjore antikorrupsion, duke adresuar kërkesat e procesit të integrimit evropian.
Ai parashikon regjistrimin e detyrueshëm të lobistëve, krijimin e Regjistrit të Lobimit, mekanizma monitorimi dhe sanksione administrative në rast shkeljesh.
Pirdeni theksoi se ligji vendos për herë të parë një kuadër të strukturuar ligjor për veprimtarinë e lobimit, duke rritur transparencën mbi ndërveprimet e grupeve të interesit me institucionet publike dhe parandalimin e konfliktit të interesave.
“Projektligji synon garantimin e transparencës jo vetëm për kontaktet e lobimit, por edhe për kontratat e lobimit, duke parashikuar që çdo lobist që ushtron këtë veprimtari të jetë i detyruar t’i bëjë ato transparente pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në 2027 zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do te ketë një staf të shtuar prej 5 personash që do të jenë të akomoduar për nevojat e kësaj çështje”, u shpreh Pirdeni.
Ajo bëri të ditur se projektligji parashikon ngritjen e një regjistri për lobimet. 12,3 milionë lekë është buxheti i projektit për këtë proces, nga të cilat 6 milionë lekë do të te shkojnë për ngritjen e regjistrit dhe pjesa tjetër për trajnimin e kapaciteteve funksionale të stafit.
“Efekti financiar total i projektligjit vlerësohet në rreth 39,5 milionë lekë”, tha ajo.

