“KALI I TROJËS”/ “Kulla, një fortesë e vërtetë, me siguri të shumëfishtë” - Koplikaj: Mashtruesit u lajmëruan dhe boshatisën zyrat. U klonua karta e ashensorit e ...

Prokuroria e Posaçme SPAK zhvilloi  pak ditë më parë një operacion kundër mashtrimit përmes Call Center-ëve, duke arrestuar dhe ndaluar disa persona të përfshirë në një skemë mashtrimi ndaj shtetasve europianë.

Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar tetë persona, emrat e gjashtë prej tyre janë: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.

Ky hetim, mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Call Center-at.

Gazetarët italianë arritën të infiltrojnë një italian, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e qendrës dhe çdo gjë është realizuar nga emisioni investigativ në Itali, “Le Iene”.

Gazetari dhe bashkëpunëtori i emisionit italian, Taulant Koplikaj, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, u shpreh se gjithccka u dokumentua nga një person italian që u infiltrua brenda kompanisë dhe ëqë për ditë dokumentoi të gjithë mashtrimin.

NGA ITALIA NË ZEMËR TË TIRANËS

Koplikaj u shpreh se gjithçka nisi me hetimet e emisionit italian 'Le Iene', të cilët prej muajsh po gjurmonin aktivitetin e call center-ave mashtruese në territoret e Bashkimit Europian dhe jashtë tij.

“Gjurmët e parave të zhvatura nga qytetarët i çuan gazetarët fillimisht në Qipro, ku zbulohen shuma marramendëse milionash euro. Pas marrjes së informacioneve nga persona të penduar dhe burime të tjera, hetimi u kanalizua drejt Shqipërisë.

Një nga drejtuesit italianë të kësaj skeme dha një adresë të saktë: Kulla 'Evergreen' ose Kulla Jeshile përballë Kishës Ortodokse në qendër të Tiranës. Ky ishte hapi i parë që konfirmoi se baza operacionale e mashtrimit ndodhej në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit shqiptar”, tha ai.

DËSHMIA E TË INFILTRUARIT

Gazetari Taulant Koplikaj u shpreh se hapi tjetër i rëndësishëm i investigimit ishte futja e një “kali troje” brenda organizatës.

“Gazetarët arritën të infiltronin një djalë të ri italian, i cili kishte përvojë të mëparshme në call center. Ai arriti të punonte aty për dy ditë, duke u përballur me një ngarkesë të madhe stresi dhe frike.

Gjatë kësaj kohe të shkurtër, i infiltruari arriti të dokumentonte gjithçka ndodhte brenda: skriptet e mashtrimit, presionin mbi klientët dhe kontrollin e rreptë nga 'bosët'.

Ai u detyrua të tërhiqej para kohe pasi mënyra e tij e komunikimit, e cila shmangte mashtrimin financiar të drejtpërdrejtë, ngjalli dyshime tek mbikëqyrësit që përgjonin çdo telefonatë. Megjithatë, materiali i mbledhur ishte i mjaftueshëm për të provuar aktivitetin kriminal”, tha Koplikaj.

FORTESA E PAKALUESHME

Pas mbledhjes së provave nga brenda, Koplikaj u shpreh se gazetarët u përballën me sfidën e hyrjes fizike në ndërtesë për të kapur mashtruesit.

“Kulla rezultoi një fortesë e vërtetë, me siguri të shumëfishtë, e ndikuar edhe nga prania e ambasadës së Izraelit në afërsi. Hyrja në ashensorë bëhej vetëm me karta të koduara dhe çdo lëvizje monitorohej. Përpjekjet e gazetarëve për t'u ngjitur në katin e 13-të dështuan për shkak të protokolleve strikte të sigurisë.

Në këto kushte, u kalua në 'Planin B': bashkëpunimi me autoritetet. Gazetarët, të këshilluar edhe nga palë të treta, vendosën t'i besojnë SPAK-ut si institucioni më i besueshëm në vend, duke depozituar një kallëzim zyrtar në datën 9 Janar, me shpresën se struktura e posaçme do të vepronte shpejt dhe në fshehtësi”, u shpreh gazetari Taulant Koplikaj.

A PATI TRADHTI?

 

Gazetari vijoi duke thënë se ndërhyrja në kullën ku gjendej kompania e mashtrimeve u planifikua për datën 17 janar.

“Gazetarët dhe agjentët e BKH-së ishin në pozicionet e tyre. Për të shmangur njoftimin e recepsionit, agjentët përdorën një strategji inteligjente duke klonuar kartën e ashensorit të një punonjësi.

Kjo u mundësoi atyre të ngjiteshin direkt në katin e 13-të pa u lajmëruar. Por, kur dyert u hapën, skena ishte shokuese: zyrat ishin plotësisht bosh. Tavolinat ishin pastruar dhe kompjuterat ishin zhdukur. Nga verifikimi i kamerave të sigurisë dhe pyetja e rojeve, rezultoi se pajisjet ishin hequr me urgjencë në orën 21:15 të natës së mëparshme.

Ky fakt konfirmoi dyshimet për një dekonspirim të rëndë të operacionit, duke lënë gazetarët dhe hetuesit përballë një dështimi të orkestruar nga rrjedhja e informacionit”, tha ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”