Bashkëpunimi Shqipëri-Itali/ Ilir Proda pret Kuestorin e Romës: Bashkë për të luftuar krimin e organizuar
Kuestori i Romës, Roberto Massucci, së bashku me delegacionin e tij, zhvilloi një vizitë kortezie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda dhe drejtues të lartë të policisë.
Gjatë takimit, Kuestor Massucci falënderoi Drejtorin Proda për pritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy policive.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroi se Policia e Shtetit do të vijojë bashkëpunimin ngushtë me partnerët italianë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar se ky bashkëpunim përfshin shkëmbimin e informacionit, krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, trajnime dhe shkëmbim eksperiencash.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu menaxhimi i situatave të ndryshme operative, roli dhe mbështetja e Ambasadës Italiane në Tiranë, si dhe u dakordësua forcimi i marrëdhënieve dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Kuesturën e Romës.
